Kosova ka një numër të karateistëve të dalluar dhe që pretendojnë suksese në rrafshin ndërkombëtar. Ndër karateist që po shquhet është edhe Alvin Karaqi dhe ka synime që gjatë këtij viti të korrë suksese edhe më të mëdha se në vitin paraprak. Alvini përveç që merret me karate është edhe në lëminë e mjekësisë. Me një fjalë, është i dyanshëm: sportist dhe mjek.
“Bota sot”: Viti 2019 është një vit jashtëzakonisht interesant, ku luftohet edhe për normë olimpike, si e sheh veten në kategorinë -84 kg?
Alvin Karaqi: Po, është praktikisht vit determinues me një kalendar tejet të ngjeshur. Momentalisht jam në 10 garuesit më të mirë të Evropës në këtë kategori, ndërsa për botë kam punë ende për rikthim në maje (shkaku i lëndimit që kisha).
“Bota sot”: A e keni tejkaluar lëndimin dhe a mendoni se ky është vitit juaj?
Alvin Karaqi: Lëndimi është tejkaluar tërësisht, çka mbetet është rikthimi komplet në ritmin e mëparshëm. Mirëpo, jam i kënaqur me rikthimin duke e marrë parasysh kategorinë dhe nivelin ku ndeshem. Puna ime momentalisht po premton një vit të frytshëm!
“Bota sot”: Cilat janë garat më të rëndësishme për këtë vit?
Alvin Karaqi: Garat më të rëndësishme janë garat e Premier Ligës, Serie A dhe Evropiani. E përmenda edhe më lart, është kalendari më i ngjeshur ndonjëherë me gara zyrtare që nuk na lejon të pushoj edhe pse kemi të bëjmë vetëm me top 50 garuesit më të mirë të botës, më së çdo garë.
“Bota sot”: Krahas si karateist, me çfarë merresh tjetër?
Alvin Karaqi: Me profesion jam Doktor i Mjekësisë së Përgjithshme. Momentalisht jam i punësuar si praktikant me orar të pjesshëm në Spitalin Ortopedik Royal Medical, nën mësimet e Dr. Qerim Kida, Dr. Agron Mahmuti dhe Dr. Lavdim Berisha.
“Bota sot”: Sa është vështirë të merresh edhe me karate edhe me mjekësi, cila u shkon më për zemër?
Alvin Karaqi: Për shkak të dashurisë ndaj të dyjave, edhe kam arritur t’i mbaj të dy anët të them suksesshëm gjatë studimeve. Andaj, as sot nuk mund t’i ndaj. Sigurisht që mjekësia ka rolin e saj afatgjatë, por momentalisht janë pjesë e pandashme e imja, sa do që është shumë e vështirë të mbahen paralelisht bashkë.
“Bota sot”: Cilat janë synimet për vitin 2019?
Alvin Karaqi: Si gjithmonë, ëndrra për më shumë medalje Europiane dhe të Premier Ligave, ngritja e emrit tim në emrat më të përmendur të kategorisë sime, ngritja e kolegëve të mi në piedestal dhe Flamurit të Kosovës në maje të këtij sporti, ndërsa në mjekësi fillimi i specializimit!