Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku, është nderuar me mirënjohje nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, pas pjesëmarrjes në Samitin për Demokraci (Programi ndërkombëtar për lidership) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, nënkryetarja Morina Bunjaku e ka falënderuar ambasadorin Hovenier, Ambasadën Amerikane, USAID-in për nominimin, aranzhimin e Programit të IVLP- Summmit for Democracy dhe pritjen pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Të nominuarit për pjesëmarrje në IVLP Summit for Democracy, si Nënkryetare e Komunës së Gjilanit në mesin e tetë pjesëmarrësve nga shtete të ndryshme ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Duke na dhënë mundësinë për të ndarë përvojën tonë me profesionistë të shquar të fushave të ndryshme si pjesëmarrës dhe homologët amerikanë, aktivitete që kemi ndjekur, gjëra të reja që kemi parë dhe mësuar në tre vendet më të bukura dhe më të zhvilluara si Washington DC, Kalamazoo dhe Los Angeles në SHBA!”, ka thënë nënkryetarja Morina Bunjaku.
Ajo ka theksuar se gjatë kësaj periudhe kohore patën mundësi për të fituar njohuri, ide, mjete dhe praktika të reja për të ndihmuar avancimin e praktikave demokratike, luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e të
drejtave të njeriut. Lehtësimi i zhvillimit të Planeve të Veprimit, angazhimeve për reforma, angazhimi i qytetarëve në aktivitetet vullnetare.
“Prandaj edhe si rezultat i përvojave të shumta, ne si komunë kemi përzgjedhur si temë të planit të veprimit mes shumë sfidave dhe mundësive, temën” Qytetarët aktiv në proceset vendimmarrëse”. Ne e vlerësojmë shumë dhe shpresojmë që bashkëpunimi ynë të mos jetë një destinacion, por një udhëtim i gjatë e i frytshëm në vazhdimësi’, ka thënë nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku.