Mbrëmë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi pati kënaqësinë të mirëpresë organizatën nga Kosova, CCNO – Center for Cooperation and Networking of Organizations, për premierën ndërkombëtare të dokumentarit “FREE”, e cila u mbajt në Kino Zita në Stockholm. Dokumentari sjell rrëfime të fuqishme mbi identitetin, guximin dhe lirinë personale.
Ambasadorja Shkendije Geci-Sherifi, së bashku me Drejtoreshën e CCNO-së, Mediana Bislimi, theksuan rëndësinë e artit si mjet për nxitjen e dialogut shoqëror, promovimin e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e vlerave të përfshirjes. Po ashtu, u theksua roli i diplomacisë kulturore në prezantimin e historive dhe perspektivave që pasqyrojnë shoqërinë dinamike dhe demokratike të Kosovës.
Në audiencë ishin të pranishëm përfaqësues të korit diplomatik, komunitetit akademik, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe diasporës, duke e bërë këtë mbrëmje një ngjarje të veçantë kulturore dhe ndërvepruese.
Dokumentari “FREE” shkon përtej ekranit, duke reflektuar përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj vlerave universale të dinjitetit njerëzor, barazisë dhe të drejtave të njeriut.









