Ambasada Gjermane thotë se e ka marrë parasysh letrën e fundit të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq i cili i ka bërë thirrje BE-së që t’ia ndalojë së ndërtuari Kosovës dy urat shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një përgjigje për tëvë1, Ambasada Gjermane i ka bërë thirrje Kosovës që të përmbahet nga veprimet përshkallëzuese.
Madje, ambasada ka thënë se përderisa udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit terrorist në Banjskë, është i lirshëm, kjo e minon përpjekjet për të ndërtuar besim dhe përgjegjësi në rajon.
“Ambasada Gjermane ka marrë parasysh letrën e fundit të Dr. Petar Petkoviq, i cili u bën thirrje Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të tij dhe akterëve të tjerë që të ndalojnë, siç e përshkruan ai, “veprimet përshkallëzuese të Prishtinës,” konkretisht ndërtimin e planifikuar të dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Siç kemi theksuar vazhdimisht në përgjigjet tona ndaj pyetjeve të mëparshme të mediave, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga veprimet përshkallëzuese.
Megjithatë, thirrjet për de-përshkallëzim duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha palët. Nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masat ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, z. Radoiçiq, e pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon seriozisht përpjekjet për të ndërtuar besim dhe përgjegjësi në rajon.
Në gjermanisht themi, “Erstmal vor der eigenen Haustür kehren” — së pari pastro para derës tënde. E përshtatur në situatën aktuale, kjo fjalë e urtë na kujton se duhet të vendosësh rregull në shtëpinë tënde përpara se të qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj. Mosveprimi ndaj ndjekjes penale të autorëve të dhunës është po aq i dënueshëm dhe kundërproduktiv sa çdo masë e pakoordinuar e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.