Shumë vetë nga Shqipëria e Kosova që kërkojnë një vizë pune realisht duhet të stërvisin durimin për shkak të pritjes së gjatë në ambasadat gjermane.
Ministria e Jashtme tani i thotë DW-së se do të ketë përmirësime.
Deri më tani disa qindra mijëra punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ardhur në Gjermani të punojnë përmes Rregullores së Ballkanit të qeverisë gjermane. Nga ekspertët ajo shihet si sukses i madh që po përmbush nevojat e tregut gjerman të punës. Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW) në fillim të këtij viti kanë qenë të regjistruar afër 100.000 vetë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që punojnë në punë të thjeshta në Gjermani dhe 60.000 të tjerë që kanë gjetur punë të kualifikuara. Por kjo rregullore e posaçme e qeverisë gjermane, e cila u ofrua si mundësi për të reduktuar numrin e refugjatëve nga vendet e Ballkanit në vitin 2015, përfundon në vitin 2020.