Në takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për disponimin aktual të SHBA-së ndaj Kosovës.
“Më duhet të them se në këtë moment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha Hovenier.
Ai ka shprehur keqardhje për eskalimin e situatës, teksa ka thënë se shpresojnë që kryeministrit Kurti të marrë hapat e menjëhershëm drejt uljes së tensioneve.
“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.