Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend, duke theksuar se mungesa e vullnetit për zgjidhje institucionale po e dëmton Kosovën dhe po rrezikon fondet e jashtme.
Në një prononcim për media jashtë ndërtesës së Kuvendit, Rohde tha se kishte pasur shpresë që kriza do të tejkalohej, por se tash për tash nuk po sheh vullnet të mjaftueshëm politik për një zgjidhje.
“Këtë mëngjes pata pak shpresë që kriza do të tejkalohet, por për momentin nuk po duket ashtu. Ndoshta sepse nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik në mesin e protagonistëve për të gjetur një zgjidhje”, tha Rohde.
Ai paralajmëroi se situata aktuale po krijon pasoja serioze për vendin.
“Kjo është keq për Kosovën sepse shumë fonde po rrezikohen. Na duhen institucione funksionale, si parlamenti e qeveria”, u shpreh ambasadori gjerman.