Posta dhe Telekomi i Kosovës pas raportimeve në media për punësimet partiake, është kritikuar shumë nga qytetarët dhe shoqëria civile për kredibilitet.
Këto ditë dolën në pah punësimet që shumë ministra, deputetë e politikanë ua mundësuan familjarëve të tyre, në shumë raste pa konkurse dhe pa pregatitje profesionale.
Për këtë arsye, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se për të shpëtuar nga falimentimi këtë gjigant, duhet intervenimi i shtetit.
Analisti ekonomik, Jakup Bellaqa vlerëson se Telekomi është një kompani shumë e rëndësishme dhe profitabile.
Sipas tij, për të dal nga kjo gjendje menaxhment i kësaj kompanie duhet që të veproj sipas rregullave dhe rregulloreve, dhe të ketë politika dhe strategji dalëse nga kjo situatë.
Ai theksoi se jetike është zhvillimi i një kulture dinamike të ketë kapacitete kërkimore si dhe frymë sipërmarrëse, të zhvillojë tregun duke u mbështetur në një kulturë të gjallë dhe të suksesshme, pasi sic thotë ai, Telekomi është ndërmarrje në pronësi shtetërore dhe duhet në bashkëpunim me qeverinë të koordinohet në mënyrë qe ma lehtë ta tejkaloj këtë situatë të paqartë.
“Që të shpëtoj nga falimentimi duhet të privatizohet sepse ekonomia privatë është funksionale, ndërsa ekonomia shoqërore përkatësisht shtetërore apo e komanduar nuk është funksionale, andaj derisa nuk privatizohet do të jetë përafërsisht po e njëjta gjendje, sepse në ndërmarrje private dominon fitimi, ndërsa ato shoqërore nuk ka nxitje për fitim, ndërsa sa i përket punësimeve kjo nuk është praktikë e re në Kosovë, sepse prej pas lufte kur ka filluar e deri sot, e njëjta praktikë ka vazhduar dhe do te vazhdoj i njëjti avaz derisa të privatizohet”, ka theksuar Bellaqa për Indeksonline.
Sipas tij, përfundimisht ky gjigant ekonomik shpëton vetëm nëse privatizohet.
“Një gjë duhet ta ceki se sistemi ekonomik privatist nuk i duron të punësuarit tepër, ndërsa ai shoqëror apo shtetëror i duron të punësuarit tepër dhe nuk ka zhvillim ekonomik dhe shoqëror”, ka përfunduar Bellaqa.
Analisti Lulzim Beqiri ka thënë në një prononcim për Indeksonline se neni 5 i Ligjit të Punës përcakton qartë se diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi.
Mirëpo, sipas tj, në realitet ky ligj është i mirë vetëm kur rri në raftet e Qeverisë dhe të ministrive përkatëse.
Ai vlerësoi se diskriminimi në tregun e punës në shoqërinë kosovare është aq i përhapur dhe dinamik, sa që nuk ka kohë për pritje nevojiten masa urgjente për ta ndalur atë.
“Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik, ky fenomen e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta e këtej, asnjë Qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë”, ka thënë Beqiri.
Sipas tij, edhe skandali i fundit i punësimeve në Telekom shpërfaq edhe një here nevojën e ndërhyrjes së shtetit në venje të rregullit.
“ Mendoj se duhet një riorganizim total i Telekomit, duke shkarkuar bordin aktual dhe duke i thirrur në përgjegjësi para organeve kompetente, ato janë taksa te tatimpaguesve kosovar dhe nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë të keqpërdoren. Punësimet pa meritë japin imazh negative edhe kompanisë po edhe Kosovës. Kemi edhe reagimin e Ambasadës Amerikane, asaj Britanike e cila ka monitoruar punësimet në sektorin publik, prandaj dërgon mesazh negative tek konsumatorët e kompanisë,”, ka thënë tutje Beqiri.
Ai ka theksuar se siç dihet ka pakënaqësi të madhe të konsumatorëve në shërbimet e ofruara dhe kjo dërgon drejt falimentimit të shpejt të PTK-së, janë rreth 14 milionë euro humbje ne vit, pra duhet hetim i prokurorisë. /Indeksonline/