Heqja e vizave për qytetarët e Kosovës nuk do të futet në agjendë të Këshillit të Ministrave as për Krishtlindje, ashtu siç thotë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Madje, një gjë e tillë, sipas njohësve të proceseve të Bashkimin Evropian, Donika Emini dhe Demush Shasha nuk ka gjasë të ndodhë edhe për një kohë të gjatë, raporton KTV.
Për dallim nga kreu i Qeverisë, Ministria e Integrimit Evropian është skeptike se liberalizimi i vizave do të hyjë në agjendë të Këshillit të Ministrave këtë vit.
“Deri më sot nuk kemi ndonjë informacion që dëshmon se ka ndryshim të qasjes së vendeve skeptike rreth këtij procesi dhe, rrjedhimisht, nuk mund të themi me ndonjë siguri që gjasat për heqjen e vizave në fund vit të jenë rritur. Megjithatë, duhet nënvizuar që kjo është çështje politike dhe kjo qasje e vendeve skeptike mund të ndryshojë në ndërkohe”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Ministrisë.
Për shkak të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, procedurat e votimit në Komisionin LIBE janë përsëritur. Rekomandimi i këtij komisioni për heqjen e vizave, pritet të votohet më 9 tetor edhe nga Parlamenti Evropian.