Shkruan: Avni Rudaku
Arbër Ismajli është zyrtarisht kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit, në Zgjedhjet Lokale të tetorit 2025, nga radhët e LDK-së. Arbëri është për kohë të gjatë në strukturat e LDK-së. Si nënkryetar i FR-së së LDK-së, ishte në periudhën 2000-2004. Ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së, Dega në Gjilan, prej 2010-2015. Arbëri ishte shef i kabinetit në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në periudhën janar 2014 – prill 2018. Më 30 prill 2018, ishte emëruar nënkryetar i Komunës së Gjilanit në qeverisjen lokale të ish-Kryetarit të Komunës, Lutfi Hazirit. Arbëri në këto zgjedhje lokale, është sfiduesi kryesor dhe i vetëm i Alban Hysenit – Kryetarit aktual të Komunës së Gjilanit nga radhët e LVV-së. Disa thonë se nuk është fare sfidues, disa sfidues i lehtë, e disa e konsiderojnë sfidues të vështirë. Në katër opsionet potenciale në prognozë janë: 1) Arbëri humb pa balotazh nga Albani; 2) Arbëri humb në balotazh me Albanin, sepse PDK-ja është e dobët elektoralisht për disa vjet radhazi, nga koha e humbjes së Qemajl Mustafës, dhe strukturat e PDK-së, pavarësisht apelit të mundshëm të PDK-së, mund të kenë më shumë afërsi ideologjike, familjare e farefisnore me LVV-në, sesa me LDK-në; 3) Arbëri e mund Albanin pa balotazh, sepse Albani ka arritur fare pak projekte kapitale t’i finalizojë për katër vjet, veçmas dështimi për Stadiumin e qytetit dhe ka hapur shumë punime njëkohësisht, pa e përfunduar plotësisht ndonjë investim me impakt të lartë, deri më sot, dhe ka punuar si të tjerët më herët, veçmas në vitin e fundit të mandatit, në prag të fushatës elektorale; 4) Arbëri e mund Albanin në balotazh, sepse PDK-ja bëhet bashkë me LDK-në nga mllefi i prishjes së koalicionit me LVV-në në mandatin e Albanit, dhe se Qemajl Mustafa i PDK-së dhe rrethi i tij i sotëm, nëse haptazi e kanë mbështetur Albanin në zgjedhjet e kaluara lokale, tash do ta mbështesin Arbërin në balotazh të mundshëm kundër Albanit, sepse Riad Rashiti si kandidat aktual i PDK-së në Zgjedhjet Lokale, ka qenë gjithashtu në rrethin e konsideruar të Qemajlit; në balotazh kundër Albanit, e mbështesin Arbërin edhe mbështetësit e AAK-së, e të partive të tjera të vogla, pasi Albani nuk ka ditur t’i afronte subjektet e tjera politike opozitare për katër vjetët e qeverisjes së deritashme lokale në Gjilan. Nëse duam të përafrohemi për një prognozë të opsionit të mundshëm të ndodhshëm nga më lart, i kemi disa të dhëna sekondare, të cilat mund të ndihmojnë pak në prognozë. Burimi i parë, rezultatet për zgjedhjet lokale 2021. Në Rezultatet Përfundimtare për Kryetar të Komunës, sipas KQZ-së, Alban Hyseni ka pasur 21800 vota, ose 51.10%, kurse Lutfi Haziri, 20865 vota, ose 48.90%. Diferenca e Albanit me Lutfiun ka qenë: 935 vota më shumë për Albanin. Do të thotë se rezultati ka qenë shumë, shumë i ngushtë; me pak vota dallime, me përqindje shumë të ulët. Në Zgjedhjet e Përgjithshme 2025, para ca muajve, LDK-ja ka qenë me 171357 vota, ose 18.27%, partia e tretë parlamentare, ndërsa LVV-ja me 396 787 vota, ose 42,30%, partia e parë parlamentare. Në Komunën e Gjilanit, në rezultatet e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, LVV-ja mori 24020 vota, ose 51.46%, kurse LDK-ja mori 10362 vota, ose 22.20% të votave, mbi dyfish më pak se LVV-ja.
Pavarësisht zhgënjimit me Albanin, në Zgjedhjet e Përgjithshme në Gjilan gjatë këtij viti, LVV-ja sërish mori shumë vota (“efekti Albin baba”), ndonëse ka dallime të konsiderueshme kur mbahen zgjedhjet lokale me ato të përgjithshme, mirëpo, në Gjilan, për dallim nga komunat e tjera, për dallimet e dy palë zgjedhjeve të fundit, si ato lokale, si ato të përgjithshme, LVV-ja ka qenë realisht fituese ndaj LDK-së. Bazuar në këto të dhëna sekondare, favorit do të ishte Albani kundrejt Arbërit, sepse përkundër zhgënjimit ndaj tij, në nivel qendror, figurat e LVV-së, qoftë nga qendra, qoftë nga Gjilani, morën shumë vota pikërisht nga gjilanasit, ndonëse do të ishte matje edhe më e duhur, sikur Albani të përfshihej në listën e kandidatëve për deputetë në vitin 2025, siç ndodhi gabueshëm moralisht me disa kryetarë të tjerë komunash. Atëherë do të kishte një matje më të saktë për popullaritetin e Albanit te votuesit pas mbi tri vjetësh qeverisje lokale në Gjilan. Sidoqoftë, nuk mund të mos përfshihen faktorë të tjerë, që munden ta vështirësojnë prognozën për Zgjedhjet Lokale 2025 dhe nuk mund të konsiderohet Albani sërish favorit, si: konsumimi i Albanit me pushtet, mobilizimi më i ulët i strukturave të LVV-së për Albanin krahasuar me vitin 2021 kur krejt fryma popullore e qytetare ka qenë për Albin Kurtin e LVV-në me partitë në koalicion. Prandaj, për këtë fazë, le të themi se, Albani dhe Arbëri janë në garë, dhe gara nuk ka përfunduar, pra, fituesi nuk është i sigurt. Por Arbëri bazuar në të gjitha kriteret, me punë intensive, unifikim të strukturave dhe anëtarësisë së LDK-së, me shkallën e financimit në fushatë etj., nuk është pa gjasa që të jetë kryetar i ardhshëm, por me shumë hendeqe në secilin variant. Sidoqoftë, ka ende garë, ka ende kohë për fushatë dhe gjërat mund të përmbysen, apo edhe të shkaktohen befasi edhe për huqje parashikimi për balotazh, e lëre më shumë. Askush nuk mund të thotë se në Gjilan nuk ka garë dhe ende është herët për prognozë.
Përparësitë e Arbërit
1. Nga pyetjet e mia të përditshme me persona që jetojnë në Gjilan për Arbërin, e kam gjetur një diçka të përbashkët për ata që kanë parapëlqim elektoral për të edhe për ta votuar, ose nuk do ta votojnë, por e kanë të njëjtin qëndrim për të: Arbëri konsiderohet shumë i afërt me qytetarët, të gjitha shtresat e shoqërisë, bizneset, njerëzit e njohur, të saponjohur e të panjohur, afrohet, i flet të gjithëve, është komunikativ, sociabil, përfshihet e viziton vende ku ka shumë frekuentim social dhe nuk i përton aspak përshëndetjeve, ndejave e vizitave. Disa e përshkruajnë: “Nuk ka shansa mos me ta çel telefonin, nëse e thërret.” Të tjerë: “Ta merr zemrën lehtë, të flet i pari.” Dikujt që nuk e njeh psikologjinë e sociologjinë, i duken absurde këto kritere personaliteti social për të matur sjelljen elektorale, por e vërteta është se, tipi i personalitetit ekstravert, ka efekt të veçantë në suksesin në politikë, sepse kemi të bëjmë me njerëz, me kontakte sociale, me hapje ndaj të tjerëve etj. Të ngjashmet cilësi i ka pasur edhe Lufti Haziri. Një shembull personal: E kam kritikuar për çdo vit të qeverisjes së tij lokale, por kur më ka parë në rrugë ose kudo, e pamundur ka qenë të mos ndalej për përshëndetje. Natyrisht, në demokraci, kushdo që kërkon votë dhe ende nuk ka ardhur në pushtet, bëhet më sociabil, më komunikativ, më afër me qytetarët (edhe sjellja e Arbrit mund të duket e tillë, sepse synon pushtet dhe nuk ka të bëjë me personalitet!), por kur arrin në pushtet, e sidomos kur ka fitore të veçantë (p.sh., një i ri i panjohur si Albani e mundi Lutën si figurë politike edhe e nivelit republikan), mund të devijojë rrugën e komunikimit e të bëhet më prepotent, më pak modest, më hatërmbetës me kritikët, të qeshet e ta humb shpejt kontaktin me sy si shpërfillje prej superioriteti në pushtet etj. Sidoqoftë, kjo nuk vlen për Arbërin e Lutën: dytë vlerësohen në komunë, shumë të afërt me qytetarët, edhe kur ishin në pushtet, por edhe kur humbën. Madje, për Lutën ka një legjendë urbane: Ta plotësoi apo jo kërkesën, nuk të thoshte kurrë jo, po-po-po! “Edhe kur ka qenë Arbëri nënkryetar, në pushtet, sërish ta ka çelë telefonin!” – ma thanë disa mbështetës të tij, pa qenë anëtarë e aktivistë të LDK-së, por të rreshtuar për votim të LDK-së. Për këto gjëra, nuk jam duke e dhënë vlerësimin tim, por perceptimin social për kandidatin, sepse për mua është absurde të ndjesh nevojën për komunikime jozyrtare, kur janë krejt rrugët ligjore e procedurale, se si komunikohet formalisht me zyrtarët publikë.
2. Vetëm në vitin 2020, në kohën e pandemisë COVID-19, si nënkryetar i Komunës së Gjilanit, Arbëri ka realizuar dhjetëra takime në terren, duke qenë afër qytetarëve, pavarësisht shkallës dhe mënyrave të zgjidhjes së problemeve lokale. Kur disa vende të rajonit po hapeshin më shumë ndaj masave anti-COVID-19, Arbëri bëhej zë i përfaqësimit të bizneseve, kundër Qeverisë së atëhershme, që vazhdonte me politika të mbylljes. Kjo e afroi edhe më shumë, veçmas me sektorin e gastronomisë lokale.
3. Ka përvojë të gjatë në angazhimin e qeverisjes lokale, qoftë brenda LDK-së, qoftë në komunë, si nënkryetar. Gjithashtu, përvoja e tij në biznes, me biznesin në hyrje të Novobërdës me Sh.P.K. Art Trade Group, i ndihmon atij të njeh problemet e bizneseve, biznesmenët dhe të krijojë ura lidhëse, të cilat mund të përkthehen për më shumë mbështetje elektorale e financiare në Zgjedhjet Lokale 2025 në Gjilan. Si në Kosovë, si kudo në botë, hyrja në politikë nga fusha e biznesit, është shpesh me sukses, ndonëse edhe në Kosovë, edhe në botë, kemi shembuj të kundërt, kur sado biznesmen i fuqishëm, nuk ka arritur të fitojë as mandatin e anëtarit të Kuvendit Komunal, e lëre më deputet apo pozitë tjetër të lartë politike.
4. Përparësia tjetër përveç cilësive të tij të personalitetit dhe përvojës në politikë, qeverisje lokale e biznes është gërryerja e përkrahjes qytetare kur i dëgjon në përditshmëri, për rivalin Albanin dhe LVV-në, pasi që Gjilani veçse e provoi këtë parti në qeverisje, por nuk është se pa rezultate të kënaqshme kapitale, për ta transformuar Gjilanin. Shumë gjilanas që i njoh, më thonë me mllef kur i pyes për performancën e Albanit në Gjilan, duke më rekomanduar të shkoj në Ferizaj, e të shoh sa mbrapa kemi mbetur si komunë! Ky krahasim shpesh ka ardhur edhe për shkak të stereotipave të kaluara të gjilanasve ndaj ferizajasve (demek ishim shumë më lart se Ferizaj, e tash edhe Ferizaj na mundi si Gjilan?!), por edhe për shkak të disa projekteve të Agim Aliut në Ferizaj, veçmas nënkalimet, stacioni i autobusëve, transporti urban, por edhe duke e parë vetë zhvillimin e bizneseve e tregtisë në Ferizaj, që gjithashtu ka fat se ndodhet në udhëkryqin e rëndësishëm lidhës me Shkupin, Prishtinën e autostradën përmes Shtimes, me Prizrenin.
5. Nëse vota e Lutfi Hazirit do të përcaktonte konstituimin e Kuvendit të Kosovës nesër, e shtunë, dita e fundit sipas afatit nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, 60 vota LVV-ja me Nismën Socialdemokrate dhe 1 votë e deputetit Haziri, me kushtin që Qeveria e ardhshme nga LVV-ja, të realizonte kërkesat e deputetit nga Gjilani, si rifillimi dhe përfundimi i autostradës së Gjilanit, rikthimi i investimit të BERZH-it në rrugët rajonale në Gjilan, zbatimi i programit të BERZH-it për impiantin e ujërave të zeza dhe përgjigje konkrete për kërkesat e komunitetit të Anamoravës dhe qytetarëve në përgjithësi, kjo do t’i ndihmonte politikisht edhe Arbërit, sepse ky takt politik i Lutës, si në realizimin e kërkesave të tij, si në mosrealizim, do t’i shkonin poena politikë Arbërit në Zgjedhjet Lokale 2025, dhe do të mund të përdorej sadopak si ligjërim elektoral se “sa shumë bën Luta e LDK-ja për Gjilanin”, duke e ditur zemërimin e gjilanasve për këto projekte të rëndësishme se si kanë ecur deri më tash nga Qeveria e Kurtit.
Mangësitë e Arbërit
1. Identifikimi me Lutfi Hazirin, sa e ndihmon Arbërin, po aq edhe e dëmton, sepse konsiderohet se Luta e kontrollon, e ndikon dhe vetë Luta e ka sjellë “njeriun e tij”, Arbërin, pavarësisht se ka figura në LDK që kanë bërë më shumë angazhim, më shumë vota dhe nuk kanë arritur të jenë të përkrahur nga Luta, si lider që imponon vullnetin e tij në Degën e LDK-së në Gjilan. Fakti që Luta ka humbur në zgjedhjet e fundit me Albanin, ka edhe hezitim për ta votuar Arbërin, sepse ka qenë nënkryetar i Gjilanit, mbrapa Lutës, dhe nëse Luta nuk ka qenë alternativë në Zgjedhjet Lokale 2021, atëherë kur i pari nuk ka qenë opsion fitues, edhe më i vështirë i dyti pas tij, Arbëri.
2. Përgjimi publik e dëmtoi moralisht dhe politikisht, figurën e Arbërit, të popullarizuar në kohën e pandemisë COVID-19. Më 16 qershor 2020, një përgjim publik për komunikimin e Abërit si ish-Nënkryetar i Komunës së Gjilanit, me ish-Kryetarin e Komunës së Gjilanit, nga radhët e PDK-së, Qemajl Mustafën, publikohen këto copëza bisedash: “Mos harro me ma caktu një vend afër teje. Jam i nderuar me punu afër teje nëse ke nevojë. Rruga e mbarë.” Qemajli ia kthen: “Do ta bëj një ekip për këshilldhënie dhe besoj krejt ka me qenë mirë.” Më pas, Arbëri i thotë: “Nga nesër unë e konsideroj veten pjesë e kabinetit Mustafa. Nëse ty nuk të pengon. Të fala!”, i drejtohet Ismajli, i cili merr përgjigje pozitive nga Mustafa. “Hiq mos ta nin’ shok. Kalo bukur!” (Lexo dhe dëgjo përgjimin: Përgjime: Nënkryetari i Gjilanit nga LDK-ja i laritej Qemajl Mustafës së PDK-së për një vend pune!, 16 qershor 2020, Indeksonline.com, në linkun: https://indeksonline.net/pergjime-nenkryetari-i-gjilanit-nga-ldk-ja-i-laritej-qemajl-mustafes-se-pdk-se-per-nje-vend-pune-1/)
3. Për shkak të arsenalit më pak të zhvilluar teorik, por edhe më pak populist, Arbëri jo vetëm nga unë, por nga shumë persona që i kam pyetur, kanë qëndrim të njëjtë: në debat, Albani, me shumë gasa, do ta mund Arbërin. Edhe sot thuhet: Nëse Luta nuk do të dilte me Albanin në debat, ndoshta do të ndërronte rezultatin, sepse ishte gjatë në pushtet dhe vështirë të mbrohej nga kritikat. Edhe për Arbërin thuhet: po të isha konsulent për strategji të tij elektorale, nuk do t’ia rekomandoja daljen në debat me Albanin, sepse me gjasa, mund ta humb. Këto janë përshtypje tek e fundit edhe subjektive, por janë të rëndësishme për t’i reflektuar.
4. Pasi Arbëri vjen nga biznesi, në ekonomi, njihet fenomeni i pakënaqësisë së partnerëve B2B, por edhe klientëve finalë. Kur je biznes, e veçmas në shoqërinë kosovare me aq shumë vështirësi për konsolidim e rritje në biznes, ka pakënaqësi eventuale të klientëve e partnerëve, dhe këto pakënaqësi ndaj biznesit, mund të kthehen edhe në pakënaqësi për votim e vlerësim për kryetar të ardhshëm. Ky fenomen njihet nga literatura teorike e empirike, dhe nuk e bazoj analizën në pyetësor me klientët e biznesit në fjalë, por po bëjmë analizë objektive dhe po i zbërthejmë të gjitha përparësitë e mangësitë e mundshme në rezultatet zgjedhore. Pra, është kundrim shkencor në parimet e ekonomisë, e jo i bazuar në ndonjë sondazh timin apo të dikujt tjetër për partnerë e klientë të një biznesi të caktuar. Veçse, të kesh biznes, mund të jetë thikë me dy tehe: edhe të pëlqehesh, edhe të mos pëlqehesh.
5. Fushata e nisur nga eksponentë me gjasë të LVV-së se, se Arbëri si biznesmen, ka importuar bojlerë (ngrohës të ujit) nga Serbia, pavarësisht se nuk e ka efektin e fushatës së dikurshme në fillimet e veta të LVV-së “Duaje tënden”, sepse LVV-ja është delegjitimuar me skandalin e blerjes së energjisë edhe nga GEN-i, çdo gjë që mobilizon sentiment nacionalist, mund të përkthehen me dëme kolaterale për kandidatin.
6. Brendi i LDK-së si në nivel qendror, si në atë lokal, nuk është në top formë dhe kjo e dëmton në mobilizim të elektoratit. Po të ishte Arbëri kandidat në kohën kur LDK-ja ka qenë në trend më të mirë elektoral si në nivel lokal, si në atë qendror, gjasat do t’i kishte më të mira, prandaj të garosh me brendin e një subjekti politik që nuk i ka ditët më të mira të mbështetjes elektorale, duke u konfirmuar nga dy palë zgjedhjesh të fundit lokale e qendrore, është në parim, mjaft e vështirë për të arritur suksese elektorale, ndonëse jo e pamundshme.
7. Vështirësia e Arbërit për të dalë qoftë para zgjedhjeve, qoftë në balotazh të mundshëm, si front opozitar i përbashkët lokal, për shkak të involvimit të shumë interesave të ndryshme partiake, anëtarëve potencialë të Kuvendit Komunal, janë mangësi për të arritur rezultate të dëshirueshme në këtë konstelacion forcash politike me rivalin LVV, e që sipas gjasave, nëse diku ka pasur njëfarë bastioni të LVV-së për vota masive, është Gjilani, që prej vitit 2010 e këtej, ndonëse zgjedhjet në Kosovë, kanë treguar se bastionet janë elastike.
8. Një fakt është i njohur në Gjilan, se Arbëri pavarësisht se në mandatin e fundit të Lutfiut si Kryetar Komune, ishte nënkryetar de jure, e ka luajtur rolin de facto, si kryetar komune, duke ushtruar kompetenca më të forta, se çdo nënkryetar tjetër në dy dekadat e fundit të qeverisjes lokale në Gjilan, prandaj nuk mund të thuhet se edhe është “kryetar i paprovuar” i Gjilanit, sepse e ka ushtruar thuajse de facto këtë pozitë, dhe si për mirë, si për keq, faturat i shkojnë edhe Arbërit, në periudhën 2018-2021. Barra më e rëndë është se Stadiumi i qytetit, keq ka filluar edhe në vitin 2016 e tutje, por edhe në mandatin e Albanit. Por edhe projekte të tjera, si sheshi i ri, që nuk ka përfunduar në tërësi dhe kishte mbetur në gjysmë, e shumë hyrje-dalje të Gjilanit. Sidoqoftë, sheshi i ri dhe hyrje-daljet e shëtitorja nga kazerma e FSK-së e deri tek Drini Market, i atribuohen mandatit qeverisës të Lutës, e rrjedhimisht, edhe Arbërit si nënkryetar. Nuk ka rëndësi a janë financime edhe nga niveli qendror, se e njëjta vlen nesër edhe për Albanin e të tjerë.
9. Mangësi tjetër në mobilizim të LDK-së për Arbërin është edhe pakënaqësia e strukturave, Degës e Nëndegëve të LDK-së në Gjilan, përfshirë edhe forumet e LDK-së, pasi që nuk ka qenë figurë krejtësisht unanime e degës së LDK-së, megjithëse zërat në hapësirë publike janë bashkuar për ta mbështetur Arbërin, sepse përndryshe, humbin të gjithë. Edhe nëse janë bërë të gjithë tok brenda LDK-së, energjia, vullneti e motivimi nuk është shumë i fuqishëm, nëse nuk ndryshon diçka me kalimin e kohës e afrimit të fushatës elektorale. Në sukseset elektorale, për të fituar garën e kryetarit të ardhshëm, janë dy kritere kryesore: ta kesh mbështetjen e plotë, të të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së partisë ku bën pjesë, por edhe ta kesh mbështetjen e mundshme të votuesve edhe jashtë partisë tënde ku bën pjesë. Sa do të arrijë Arbëri të mobilizojë e unifikojë strukturat dhe anëtarësinë e Degës së LDK-së, do të varet edhe nga vetë ai me qasjen e strategjinë e komunikimit, por edhe nga vullneti i stukturave të bëhen bashkë, për ta mundur Albanin.
10. Arbëri që pas kandidimit të tij për kryetar nga Dega e LDK-së, me dy paraqitjet e tij të fundit, ka bërë gabime. Njëri është në emisionin e radiostarit – radiostacionit dhe portalit më të popullarizuar e më me audiencë në Anamoravë, ku Arbëri nuk bëri performancë të shkëlqyer, madje as shumë të mirë, sepse fliste me përgjithësime, diku thoshte “mos më kapni për numra e shifrash të sakta”, duke lënë përshtypjen se ende nuk ka arritur ta kanalizojë energjinë e durimin për të qenë sa më i informuar për zhvillimet e fundit e projektet në Gjilan, e duke e thënë veç një gjë të re, por të pamjaftueshme, se “punimet do të zhvillohen edhe natën, për të mos penguar komunikacionin ditën”, diçka që dëgjohet edhe në biseda të lira private nga kushdo. Të jesh kryetar i ardhshëm i komunës, duhesh në çdo paraqitje, të paktën të përmendësh tri-katër gjëra të mëdha, ide të mëdha, vizion transformues urban etj. Ndërsa gabimin e dytë amatoresk e bëri me vizitën e fundit në një ordinancë private shëndetësore “Diagnoza” në Gjilan. Si mund të pretendosh të jesh kryetar i ardhshëm i Gjilanit, e të mos shkosh së pari në të gjitha ambulancat lokale publike (e jo së pari në ordinancë private!), madje edhe në Spitalin e Përgjithshëm, pavarësisht se është me nivelin qendror, por ka të bëjë veçmas me pacientët e familjarët e pacientëve të Gjilanit (pa përjashtuar edhe rëndësinë për qytetarët e Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, Vitisë)?! Si mund të jesh kryetar i ardhshëm i Gjilanit, e të vizitosh së pari një ordinancë private?! Ordinancat private duhet t’i vizitosh, por vizitat duhet t’i bësh në të gjitha ordinancat private, sepse ti si kryetar i ardhshëm i Gjilanit, prioritet do t’i kesh ambulancat lokale publike, bashkëpunimin me Spitalin e Përgjithshëm të nivelit qendror, dhe më pas, pse jo, edhe bashkëpunim e krijim të kushteve infrastrukturore etj., për çdo ordinancë private. Pra, gjithçka shkon sipas rendit, viziton ambulancat lokale publike, Spitalin e Gjilanit, e pastaj çdo ordinancë private, pa e dalluar asnjërën, sepse nuk duhesh të favorizosh në promovim vetëm një ordinancë private si Diagnoza, me gjithë respektin për të, por edhe Olive, edhe Avicena, edhe Biolab etj.
11. Si Albani, si Arbëri, po e përsërisin gabimin e njëjtë: përzgjedhjen super të dobët të ekipit. Kur votuesi mendon për votën e tij, e përfytyron jo vetëm se kush do të jetë kryetari, por edhe me kë do të punojë kryetari i ardhshëm në katër vjetët e mandatit qeverisës lokal. Deri tash, nga ajo që duket në hapësirë publike e postime, Arbëri nuk ka zgjedhur përreth tij, një ekip të fuqishëm profesional, kredibil, për të udhëhequr Komunën e Gjilanit.
12. Për të matur mangësitë e Arbërit, si për Albanin, për shkak se ka qenë nënkryetar në mandatin e fundit të Lutës, mund t’i referohemi edhe raporteve vjetore të ZAP-it për Komunën e Gjilanit, e veçmas prej vitit 2018-2021, sepse Arbëri e filloi punën si nënkryetar i Gjilanit, në vitin 2018. Për vitin 2018, ZAP konstaton këto parregullsi për qeverisjen lokale të Lufti Hazirit si kryetar dhe Arbërit si nënkryetar të Gjilanit: Realizimi i ulët i buxhetit për investime kapitale dhe subvencione. Komuna gjatë këtij viti ka arritur të shpenzojë buxhetin për investime kapitale vetëm 79% si dhe 75% për subvencione. Shkaktar të ekzekutimit të ulët janë vonesat në realizimin e kontratave. Prona komunale të dhëna në shfrytëzim të përkohshëm pa procedura të ankandit. Kompensimi i pagave në kundërshtim me Aktin e Emërimit.
Kjo ka ndodhur për shkak të gradimit në vitet e mëhershme, dhe ndryshimi apo rritja e koeficienteve është bërë pa u siguruar se komuna kishte mundësi financiare apo duke mos marr parasysh ndikimin financiar për këto pozita, të cilët vazhdojnë të paguhen edhe tani në kundërshtim me aktet e themelimit të marrëdhënies së punës. Mangësi në certifikimin e pagesave. Tejkalimi i vlerës së kontratave – Komuna e Gjilanit për “Furnizim me dru për ngrohje Lot 1” e nënshkruar me 20/09/2017, vlera e përgjithshme e furnizimit ishte 217,428€, (kontrata nuk ishte kontrate kornizë, por kontratë me terma fiks). Gjatë vitit 2017 dhe 2018, komuna ishte furnizuar me 310,635€, duke tejkaluar kontratën për 93,207€. Gjatë vitit 2015- 2018, komuna kishte marr shërbime të transportit në vlerë prej 37,185€, duke tejkaluar kontratën për 12,292€ më shumë se është e lejuar me LPP. Kjo ka ndodhur pasi që menaxheri i kontratës nuk mban shënime për nivelin e sasive të furnizuara në funksion të kontrollit për të mos lejuar tejkalimin e sasisë së kontraktuar dhe po ashtu si pasojë që sasia e pamjaftueshme e kontraktuar të përmbush nevojat reale të komunës. Komuna për dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin ka lidhur kontratë kornizë në vlerë të parashikuar prej 103,600€ përmes procedurës së hapur të prokurimit. Gjatë hartimit të dosjes së tenderit Zyra e Prokurimit e ka rritur sasinë e sipërfaqes për dezinsektim në 79,500ha, duke e marr vlerën e parashikuar në vend të sipërfaqes. Gabimi nuk është vërejtur deri në fillimin e ekzekutimit si pasojë e mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme në Zyrën e Prokurimit. Pas vërejtjes së gabimit nga ana e jonë, komuna ka kërkuar shkëputjen e kontratës dhe me marrëveshje edhe të OE, e njëjta është shkëputur. Rishikimi ynë i angazhimeve të punëtorëve me kontratë për shërbime të veçanta ka identifikuar se komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 119 punëtorë me kontratë për shërbime të veçanta. Në 31 të angazhuarit në administratë, 39 raste të angazhuarit në arsim dhe 12 raste të angazhuarit në teatër komuna i ka mbajtur këta punëtorë më shumë se 6 muaj brenda një viti duke tejkaluar kufizimin ligjor prej 6 muaj.
Për të angazhuarit në administratë angazhimi i personave ka ndodhur pasi që komuna ka mbi 40 punëtorë të suspenduar për shkak të hetimeve penale nga ana e prokurorisë, ndërsa për stafin tjetër komuna nuk ka buxhet të aprovuar për personel shtesë. Ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren komunale – subvencioni i ndarë për Teatrin e Qytetit në vlerë prej 8,200€ mungonte marrëveshja siç kërkohet me nenin 13 të Rregullores Komunale. Me rastin e subvencionimit të botimit të Librit “Gjilani-terrori, represioni dhe eksodi 1944- 1956”, në shumën 500€ përfituesi nuk kishte sjell kurrfarë raporti në komunë. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me rastin e subvencionimit të Radio Gjilanit në shumën prej 2,000€, përfituesi nuk kishte sjell raportet siç kërkohet në nenin 3.2 të marrëveshjes. Sipas nenit 2 të marrëveshjes për subvencionim në mes të Komunës së Gjilanit dhe Medresesë së Mesme “Alaudin”, Dega-Gjilan, sasia e naftës për ngrohje që e subvenciononte komuna për këtë institucion ishte 2,500 litra. Në baze të faturës nga furnizuesi i derivateve (OE) kjo organizatë në shkurt të vitit 2018 ka përfituar 3,000 litra naftë apo 500 litra më shume se sa është përcaktuar në marrëveshje (përfitimi në vlerë 2,910€, apo 485€ me shumë). Shuma i është transferuar kompanisë furnizuese e jo përfituesit. Për projektin “Gëzuar Viti i Ri 2018” në vlerë 3,850€, Komuna nuk kishte aplikuar procesin e aplikimit përmes thirrjes publike në ketë procedurë, tek në gjysma e dytë të vitit 2018 komuna kishte filluar të aplikon thirrje publike për subvencionim. Në pesë pagesa në vlerë prej 89,948.45€ të cilat i përkasin projektit për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha, kemi vërejtur ndryshime në pozicione nga paramasa e kontraktuar me atë të realizuar. Këto ndryshime janë bërë si rezultat i kërkesës së banorëve dhe të cilat ndryshime janë aprovuar në papajtueshmëri me procedurat nga Kuvendi Komunal. Sa për ilustrim: si rezultat i vendimit të KK punët e shtratit dhe kanalizimit ishin të kontraktuara në vlerë 1,818,730€, ndërsa janë ekzekutuar 538,189€ apo 70% më pak, punët e mbulimit në kanalizim ishin të kontraktuara 389,088€, e janë realizuar 1,208,033€ apo 210% më shumë. Projekte pa plan detal të ndërtimit – Kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së komunës lidhur me këtë problematikë. Inicimi i projekteve pa buxhet të mjaftueshëm. Vonesa në arkëtimin e të hyrave nga qiratë. (ZAP, qershor 2019, Prishtinë, në: https://zka-rks.org/cms/uploads/2019/06/1.Raporti-i-Auditimit-p%C3%ABr-komun%C3%ABn-e-Gjilanit-2018-Shqip.pdf)
Për vitin 2019, ZAP konstaton: Keqklasifikimi i shpenzimeve në kategori ekonomike. Komuna kishte kryer pagesa nga kategoritë e gabuara në vlerë 176,912€. Dhënia me qira e pronës komunale pa i respektuar procedurat. Komuna nuk i ka zbatuar plotësisht kërkesat e dala nga ligji 06/L-092, për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës se paluajtshme komunale. Zyrtarët nuk kanë ofruar ndonjë shpjegim për moszbatim të kërkesës ligjore. Kompensimi i pagave jo në pajtim me Aktet e Emërimit. Pagesa e punonjësve në kundërshtim me akt emërimet/kontratat e punës përveç që është shkelje ligjore, ekspozon komunën ndaj padive gjyqësore që mund shkaktojnë shpenzime shtesë për Komunën. Mospërgatitja planit vjetor për mbështetje financiare për OJQ. Komuna nuk e kishte përgatitur Planin Vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve. Arsyetimi i vetëm nga zyrtarët e Komunës ka qenë që ne nuk e përgatisim një plan të tillë. Një numër i fermerëve ishin përfitues të dy e më shumë subvencioneve. Sipas Drejtorisë për Bujqësi, arsyeja pse personat e njëjtë kanë përfituar më shumë se një herë subvencione është sepse disa prej tyre janë të vogla për nga vlera, kështu që nuk është parë e arsyeshme të eliminohen përfituesit e njëjtë. Shpërblimi me kontratë pa i plotësuar kërkesat administrative të dosjes së tenderëve. Tek procedura e prokurimit “Vërbicë e Zhegovcit – Sllovi” në vlerë 1,346,909€ kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomikë të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, si dhe operatori ekonomik duhet të posedojë dy grejder minimum 12 ton.
Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit. Mungesa e menaxherëve të projektit – Në tri raste të testuara të procedurave të prokurimit për investimet kapitale, Komuna nuk kishte emëruar menaxher të projektit siç kërkohet me Rregullore. Sipas zyrtarëve komunalë, kjo është bërë për arsye se Komuna ka të lidhur një kontratë me një kompani private për mbikëqyrjen e punëve të cilat i ekzekuton Komuna. Kryetari i komisionit për vlerësimin e ofertave të tenderit “Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese”, ishte caktuar edhe menaxher projektit për këtë kontratë. Sipas komunës, kjo kishte ndodhur në mungesë të njohurive për kërkesat e rregullores që shmangin konfliktin e interesit. Për kontratën kornizë “Mirëmbajtja teknike e objekteve në të gjitha njësitë kërkuese në Komunën e Gjilanit”, në 12 pozicione ka tejkaluar sasinë totale indikative të kontratës kornizë. Në total për këto pozicione për tre vite maksimumi i pagesave do duhej të ishte 40,095€, ndërsa gjatë vitit 2019 janë paguar 191,136€, apo 151,041€ më shumë. Tejkalimi për një pozicion ishte 13,430 njësi, ndërsa pozicionet e tjera kanë tejkalime më numër më të vogël të njësive. Projekti ”Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” nuk kishte projekt ekzekutiv të ndërtimit. Kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së njësisë kërkuese lidhur me këtë kërkesë ligjore. Inicimi i projekteve pa buxhet të mjaftueshëm. Vonesa në fillimin e procesit të vlerësimit, vonesa në vlerësim dhe njoftimet për nënshkrimin e kontratave janë publikuar me vonesë. Mbivlerësimi/nënvlerësimi i pasurisë kapitale. Vlera totale e pasurive jokapitale nën vlerën 1,000€ në PFV ishte 1,307,174€. Komuna nuk përdorë programin E-pasuria për evidentimin dhe menaxhimin e pasurisë nën 1,000€. Komuna aplikon programin Excel për evidentimin e kësaj pasurie. (ZAP, qershor 2020, Prishtinë, në: https://zka-rks.org/cms/uploads/2020/07/Raporti-i-auditimit_K_Gjilanit-2019-Shqip.pdf)
Për vitin 2020, ZAP konstaton: Mosrespektim i hapave për procedimin e pagesave sipas Rregullave Financiare – Nga zyrtarët përgjegjës, nuk janë dhënë shpjegime për rastet. Kjo ishte si pasojë e mungesës së duhur të kontrollit me rastin e procesimit të pagesave. Ndarje jo e duhur e detyrave në procesin e prokurimit dhe si dhe shpërblimi me kontratë pa i plotësuar kërkesat administrative të dosjes së tenderëve. Mungesa e projekteve ekzekutive të ndërtimit. Keqklasifikimi i shpenzimeve në kategori ekonomike. Komuna kishte kryer pagesa nga kategoritë e gabuara ekonomike në vlerë 182,859€. Pagesa e pagave me koeficient me të ulët së sa në Akt Emërime.
Shpërblimi me kontratë pa i plotësuar kërkesat administrative të dosjes së tenderëve. Tek procedura e prokurimit “Sigurimi i Automjeteve të Komunës” kërkesë e dosjes së tenderit ishte që Operatori Ekonomik fitues të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme, në vlerë minimale jo më pak se 160,000€, në tre vitet e fundit. Ndërsa Operatori Ekonomik ka ofruar dëshmi vetëm për shumën 111,087€. Zyrtarët e prokurimit pohojnë se ky ka qenë vetëm një gabim teknik. Mospërgatitja planit vjetor për mbështetje financiare për OJQ. Komuna e kishte përgatitur Planin Vjetor për mbështetje financiare të OJQ-ve dhe e kishte dorëzuar në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, mirëpo ky plan nuk përfshinte subvencionimet e OJQ-ve që do të bëheshin në vitin 2020, por përmban vetëm subvencionimet e OJQ-ve në fushën e Kulturës që do të jepen gjatë vitit 2021. Tejkalim i sasive të kontraktuara – Për kontratën kornizë “Mirëmbajtja teknike e objekteve në të gjitha njësitë kërkuese në Komunën e Gjilanit”, në vlerë prej 711,089€, Komuna për 12 pozicione ka tejkaluar sasinë totale të këtyre pozicionëve të kontratës kornizë. Në total për këto pozicione, për tre vite maksimumi i pagesave do duhej të ishte 40,095€. Për këto pozicione kishte tejkalime edhe në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 për këto pozicioni ishin paguar edhe 125,371€. Inicimi i projekteve pa zotim paraprak të fondeve. Vonesa në procesin e vlerësimit të procedurave të prokurimit. Mbivlerësimi/nënvlerësimi i pasurisë kapitale. Mospërdorimi i sistemit e-pasuria dhe mungesa e rregulloreve të brendshme për pasuri. Komuna e Gjilanit nuk ka Libër të Faturave ku bëhët protokollimi i faturave të pranuara. Zyrtarët Komunalë përdorin një softuer për protokollimin e faturave, mirëpo nuk ka ndonjë mekanizëm që verifikon saktësinë e tij. Poashtu në mostrat e testuara nuk kemi gjetur ndonjë dëshmi se faturat e pranuara janë evidentuar (protokolluar). Shtatë fatura në vlerë prej 26,129€, ishin paguar pas skadimit të afatit prej 30 ditë.
Arsye e vonesës sipas zyrtarëve komunalë për mospagimin e faturave në afat ishte mungesa e buxhetit. (ZAP, qershor 2021, Prishtinë, në: https://zka-rks.org/cms/uploads/2021/06/RaportiAuditimit_K_GL_2020_Shqip.pdf)