OPINION
Gjilani si kryeqendër e Anamoravës ndër vite ka qenë besnik ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjekt ky që ka gëzuar rrespekt dhe simpati që nga themelimi.
Duke qenë një bastion i LDK-së, Gjilani ka dhënë përkrahje për këtë parti, jo vetëm në zgjedhje qëndrore, por në vazhdimësi edhe në ato lokale.
Në Gjilan, kryetari aktual, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, është në përfundim të mandatit të katërt katër vjecar, tri nga paslufta dhe një para saj.
Kjo mbështetje e pakushtëzuar e gjilanasve, dhe e Anamoravës në pothuajse cdo legjislaturë rrallë u përfaqësua nëpër ministri të qeverive që udhëhiqeshin nga LDK dhe partnerët e koalicionit.
Jo vetëm Gjilani, edhe dy komunat ajo e Kamenicës dhe e Vitisë, ishin ‘fabrika’ të pa kontestueshme të votave, tek të cilat, LDK mbushte ndër vite ‘arkën’ e saj.
Sot, Anamorava është një nga regjionet më të pa zhvilluara në aspektin ekonomik, shoqëror e kulturor, biznese lokale që mezi mbijetojnë dhe fabrika të mbyllura gjithandej.
Ky fakt është brengë e përditshme e banorëve të kësaj ane dhe përkundër disa projekteve infrastrukturore si nevojë elementare për funksionim, komunikim dhe lidhje me komunat e tjera të Kosovës, Anamorava ka mbetur zorrë qorre, që nuk të leverdisë as për vizita vikendesh e lëre më për jetesë.
Gjilani edhe sot, pas 20 vitesh liri vazhdon të jetë humbar i votave dhe këtë e dëshmoi edhe në zgjedhjet e fundit qëndrore, ku ishte bindshëm i zotuar se nga kjo komunë, Vjosa Osmani do të jetë kryeministrja e re e Kosovës, e ashtuquajtur e shpresës.
Por, ngjarjen morën kahje tjetër!
Koalicioni i shpresës dështoi, sot Vjosa nuk është as kryeministre dhe as nënkryetare e LDK-së, pozita këto që gjilanasit i dëshiruan dhe i votuan masovisht.
Për më tepër, Gjilani nuk ka një përfaqësues në kabinetin qeveritar e as zv.ministër nga ky subjekt.
Tradita e elektoratit gjilanas tregon se ata janë stoik në qëndrime dhe vlerësime të kuadrove profesionistë e të përgatitur, përkundër ‘betejave’ që mund të zhvillohen brenda subjektit të tyre.
Një nga zërat e emblemë të LDK-së nga kjo anë, është kryetari Lutfi Haziri, i cili edhe votoi pro masës, pro elektoratit dhe kundër shkarkimit të nënkryetarës së deritanishme, Vjosa Osmanit.
Por,duke parë zhvillimet e fundit, duket se ‘beteja’ me Vjosën mund të ketë mbaruar, por ‘lufta’ tjetër edhe më e ashpër mund të zhvillohet pas shkarkimit të saj.
Cfarë do të ndodhë me të ardhmen e këtij subjekti, udhëheqësve të saj dhe qeverinë që po udhëhiqet nga Avdullah Hoti, shumë pak njerëz mund ta dijnë dhe edhe më pak t’a qëllojnë rrjedhën e këtij lumi.
Sidoqoftë, LDK më nuk e ka një nënkryetare të zëshme, të përgatitur e me vlera dhe nuk ka as një tjetër nënkryetar që i përkrah ndryshimet e tilla, por ka qëndrimet e tij, bile publike tani e një kohë.
Ata që po guxojnë të mendojnë ndryshe në politikën kosovare po shkarkohen, cili e ka rradhën?