Komuna e Gjilanit dhe e Kumanovës, kaherë patën rënë në ujdi për të krijojuar lidhje mes vete përmes vendkalimit kufitar, Stançiq-Bellanovc, falë edhe insistimit të ndërkombëtarëve.
S’do mend, se kjo nismë ideore, kishte gëzuar jashtëzakonisht shqiptarët e dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë, për faktin se mes tyre egzistojnë edhe lidhje familjare.
Fillimisht nuk kishte munguar vullneti për realizimin e këtij projekti nga dy vendet, por ndërkohë shteti maqedonas, sikur nuk kishte interesim për sëndertimin e këtij projekti.
Siç dihet, pala maqedone kishte për detyrë asfaltimin e rrugës deri në kufij të Kosovës, mirëpo, punët në terren fillimisht po ecnin ngadalë, anipse qeveritë e dy vendeve ishin zotuar që punët të kryhen ashtu siç duhej dhe siç pritej.
Kurse, tash, kur gjithëçka, pothuajse është gati për funksionalizimin e po këtij vendkalimi kufitar, Anamoravasit sikur kanë humbur durimin nga pritja tejet e gjatë.
Ndërkaq, lidhur me hapjen zyrtare të vendkalimit kufitar Stançiq-Bellanovc është biseduar edhe në takimin e punës që kishte dje kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me ambasadorët e akredituar në Kosovë: Rexhep Salihu nga Republika Veriore e Maqedonisë, Fehrat Dinosha nga Republika e Malit të Zi dhe Qemal Minxhozi nga Republika e Shqipërisë.
Ambasadori Salihu nga Republika Veriore e Maqedonisë para gazetarëve që po përcillnin konferencën, pas takimit të tyre me kreun e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin ndër tjerash tha: “Kam informata se më 3 Prill do të vjen një delegacion nga Republika Veriore e Maqedonisë i cili do të takohet më institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës. Jam i informuar se afati i fundit për hapjen e vendkalimit kufitar Stançiq-Bellanovc ishte shtyrë dhe se kjo ka ndodhur për çështje procedurale”.
Sipas tij u tha se nuk mungon vullneti për hapjen e këtij vendkalimi kufitar dhe së shpejti pritet të bëhet edhe finalizimi i këtij projekti të shumë pritur.
Ai bëri gjithashtu me dije se edhe në takimin e punës me kryetarin Haziri është bisedue lidhur me këtë çështje, duke shprehur besimin se në një të ardhme të afërt pikat kufitare nuk do të jenë më pengesa për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.
Askush më shumë se banorët e brezit kufitar nuk do i gëzohen realizimit të këtij projekti me të cilin shpresojnë dhe besojnë se do t’i kthehet perspektiva e jetës, kësaj ane, dhe jo vetëm për banorët e Grykës së Karadakut, por edhe atyre të Zhegrës me rrethinë dhe Gjilanit e Anamoravës në përgjithësi./GJILANI.INFO/