Pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria lidhur me dyshimet se ambasadori Martin Berishaj ka ndërhyrë në procesin zgjedhor nga diaspora, kjo është konfirmuar edhe nga anëtari i KQZ’së Arianit Elshani.
Elshani ka thënë se ka informacion se zarfet me fletëvotime janë tërhequr pa praninë e vëzhguesve të partive politike.
Sipas tij, kjo gjë është në kundërshtim me procedurat e KQZ’së.
“Sipas informacioneve që kam pranuar, po është e vërtetë që zarfet me fletëvotime janë tërhequr pa praninë e vëzhguesve të partive politike, dhe kjo gjë është në kundërshtim me procedurat e KQZ. Ne kemi kërkuar informacione shtesë dhe sqarime pse dhe si ka ndodhur një gjë e tillë” ka thënë ai për Insajderin.
Elshani ka thënë se ato zarfe qe tërhiqen pa përfillur procedurat e KQZ do të anulohen.
Prokuroria nis hetimet ndaj Martin Berishaj
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.
Prokuroria thotë se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.