Kur nxënësit e Gjimnazit Kantonesschule Freunderberg po parakalonin në ditën e maturës, njëra nga to po dallohej me veshje karakteristike, me kolorit ngjyrash nga më të ndryshmet dhe me një bukuri të rrallë. Ishte kjo maturantja me prejardhje nga Kosova Anisa Kadriu, e cila kishte përzgjedhur që në njërën ndër ditët më të rëndësishme të jetës së saj të vishej me veshje kombëtare nga Kosova.
Ajo në kokë po mbante shaminë e kuqe me ngjyrë të ndezur, kurse fustani i saj i bardh ishte i zbukuruar me lule të imta të qëndisura me finesë. Përparësja e saj, me ngjyrë të zezë, ka simbolikën shqiptare, atë të shqiponjës e buqeta e luleve që po mbante në dorë, që sigurisht se ishte dhuratë nga më të dashurit e saj edhe më tepër ia shtonte hijeshinë dhe shkëlqimin maturantes me prejardhje nga Kosova.
“Kjo qika sot, me veshje kombëtare ka kryer maturën ne gjimnazin Kantonesschule Freunderberg!”, kanë shkruar familjarët e saj të cilët kanë shtuar se janë krenarë me vajzën e tyre, por njëkohësisht edhe të lumtur, aq shumë sa nuk kanë fjalë për të shprehur gëzimin e tyre.
Gjithsesi se prindërit i kanë dëshiruar Anisës shumë suksese në rrugëtimin e saj të mëtejmë dhe ajo pritet që të ndjek rrugën e shumë bashkëkombëseve të saj, të cilët kanë bërë kudo në Evropë e përtej oqeanit me sukseset e tyre./Radio Star/