Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, më 24 gusht, do të udhëtojë drejt Republikës së Turqisë, ku do të marrë pjesë në festivalin kulturor që do të mbahet në qytetin e İnegölit.
Përmes këngëve, valleve dhe vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, Ansambli “Gjilani” do të përfaqësojë me dinjitet qytetin e Gjilanit dhe Republikën e Kosovës, duke promovuar kulturën dhe traditën shqiptare në një skenë ndërkombëtare.
Ansambli shpreh mirënjohje të veçantë për drejtorin e festivalit, Serkan Ay, për përzgjedhjen dhe ftesën drejtuar Ansamblit “Gjilani” për të qenë pjesë e këtij aktiviteti kulturor.
Një falënderim i veçantë u dedikohet të gjithë qytetarëve, artdashësve dhe mbështetësve që kontribuojnë dhe përkrahin Ansamblin “Gjilani” në veprimtarinë e tij kulturore dhe artistike.
Me këtë pjesëmarrje, Ansambli “Gjilani” vazhdon misionin e tij për ruajtjen, promovimin dhe prezantimin e kulturës shqiptare dhe vlerave të qytetit të Gjilanit jashtë vendit.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Gjilan
Ministria e Kulturës dhe Turizmit
Ansambli “Gjilani”

