Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka vendosur që të aprovojë pjesërisht ankesën e PSRK-së në rastin e njohur si “Pronto”, ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, si dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.
Kjo gjykatë, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket të akuzuarit Ilhami Gashi, ndërsa, sa i përket të akuzuarve Grabovci dhe Sadat Gashi, kjo gjykatë ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së.
Kjo gjykatë të akuzuarin Ilhami Gashi për dy pika të aktakuzës për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të Shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, i ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 1 viti e katër muaj.
Për veprën penale si në pikën 1 të aktakuzës atij i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 10 muaj, ndërsa për pikën 2 dënim në kohëzgjatje prej 8 muaj, por gjykata ndaj tij ka shqiptuar dënim unik prej 1 viti e katër muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuar nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy viteve.
Po ashtu të njëjtit, sipas aktgjykimit të gjykatës se Apelit, i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy viteve.
Ndërsa për të akuzuarit Grabovci dhe Sadat Gashi, kjo gjykatë ka refuzuar ankesën e PSRK-së, duke e vërtetuar aktgjykimin e shkalles së parë, e cila me 2 mars 2020, i kishte liruar nga akuza.
Tre të akuzuarit me 9 shtator 2021, kishin kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të njëjtit të lirohen nga akuza.
Ndryshe, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç’rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky vendim i Supremes kishte ardhur pasi mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar kësaj gjykate me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Ndryshe, ky rast kishte shkuar në Gjykatë Supreme edhe me ankesë të Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtësve së të akuzuarve.
Por, në nëntor të vitit 2020, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një komunikate për media, kishte bërë të ditur se kishte refuzuar ankesat e prokurorisë speciale dhe ato të mbrojtësve dhe kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit, ndaj tre të akuzuarve në rastin e njohur si “Pronto”, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi.
Ata akuzoheshin për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.