Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”, e ka vërtetuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata e Apelit, ka vlerësuar aktvendimin e ankimuar sipas pretendimeve ankimore, por edhe sipas detyrës zyrtare në drejtim të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës dhe ka konstatuar se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, apo shkelje tjera e të cilët do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit dhe se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për refuzimin e kërkesave për hedhjen e akuzës dhe kundërshtimeve ndaj provave të paraqitura nga mbrojtësit”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Gjithashtu, kolegji gjykues ka vlerësuar se nuk ka asnjë provë që mund të konsiderohet e papranueshme ose që është mbledhur në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPP-së dhe nuk janë identifikuar asnjëra prej bazave ligjore që mund të justifikonin përjashtimin e provave, ashtu siç kërkohet me nenin 243, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, 1.2 dhe 1.3 të KPP.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”.