Pasi u publikua lista e përfituesve të granteve Star UP dhe bizneset ekzistuese të grave, ka shpërthyer një valë reagimesh nga aplikuesit që nuk arritën të marrin asnjë grant, raporton Radio Star.
Ata pretendojnë se lista është manipuluar nga Komuna e Gjilanit dhe kërkojnë transparencë në publikimin e emrave të përfituesve.
Sipas aplikuesve, komuna nuk ka pasur guximin të publikojë emrat e përfituesve dhe ka bërë publike vetëm numrat rendor, duke ngritur dyshime për mungesë transparence dhe favorizim të individëve të caktuar.
Këto akuza janë intensifikuar me pretendimet se të afërmit e kryetarit të Komunës së Gjilanit kanë përfituar shuma të konsiderueshme nga këto grante.
Një nga aplikuesit, i cili ka preferuar të mbetet anonim, ka thënë: “Është e qartë se granteve u janë dhënë personave të lidhur me pushtetin aktual.
Kjo praktikë është e padrejtë dhe shkatërron besimin e qytetarëve në institucionet lokale. Kërkojmë që emrat e përfituesve të bëhen publikë dhe të sqarohet procesi i përzgjedhjes.”
Aplikuesit po ashtu theksojnë se kjo nuk është hera e parë që përfituesit e granteve janë të lidhur me personat e partisë në pushtet.
Këto akuza kanë shkaktuar një reagim të gjerë tek aplikuesit, me shumë qytetarë që kërkojnë një hetim të pavarur mbi procesin e përzgjedhjes së përfituesve të granteve.
Ndërsa shumë aplikues vazhdojnë të kërkojnë llogaridhënie dhe publikimin e emrave të përfituesve, aplikuesit që nuk kanë arritur të marrin asnjë grant thonë se kjo praktikë është e padrejtë dhe kërkojnë transparencë nga autoritetet komunale.
Kur kryetari aktual i Komunës së Gjilanit mori detyrën, ai premtoi transparencë dhe llogaridhënie të plotë ndaj qytetarëve, megjithatë, kohët e fundit, qytetarët dhe aplikuesit për grante po shprehin zhgënjimin e tyre, duke pretenduar se këto premtime nuk po realizohen në praktikë./radiostar/