Komuna e Gjilanit në partneritet me Klubin Rotarian Gjilani, ka filluar sot zbatimin e fondit për studentët e Gjilanit, ku Muhamet Ajrullahu, pronar i ndërmarrjes ‘AR Katana’ ishte zotuar se do të ndante 100 bursa, premtim të cilin e ka tejkaluar.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ky është shembulli më i mirë dhe donacioni më i madh i dhënë në mbrëmjen e humanitare ‘Pak nga ne, shumë për ata’.
“Është donatori më i madh në gala mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, të organizuar në fund të vitit të kaluar, ku donacioni më i madh ka qenë nga Muhamet Ajrullahu, pronar i ndërmarrjes ‘AR Katana’, bashkatdhetar i yni i kthyer para 5 vitesh nga Gjermania, për të filluar investimet e tij në Komunën e Gjilanit. Konfirmohet se sot janë të mbuluara të gjitha kërkesat për bursa që janë drejtuar në adresën e Komunës. Ai ka përmbushur zotimin e tij dhe njëkohësisht edhe ka tejkaluar atë në kërkesa të veçanta, për çka në emër të qytetarëve të Gjilanit e fëlënderoj shumë”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari Haziri gjithashtu ka konfirmuar se AR Katana, ka qenë donator më i madh i asaj mbrëmjeje.
“Përpos bursave që ka ndar AR Katana, ku studentët përfitues kanë marrë mjetet financiare, Komuna e Gjilanit, zotimin e vet prej 10 mijë euro do ta transferoj në fondin ‘Pak nga ne shumë, për ata’ që të bëjmë shpërndarjen pastaj në bazë të kërkesave të studentëve që studiojnë në universitetet brenda dhe jashtë Kosovës dhe poashtu edhe ndarjen e mjeteve përmes fondit të ekselencës për studentët e dalluar në lëmi të ndryshme”, ka theksuar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ndërsa, Muhamet Ajrullahu, pronar i AR Katana, ka thënë se deklarimi im ka qenë për 100 bursa me nga 138 euro, por këtë e kemi tejkaluar duke vepruar në bazë të rëndësisë që ka investimi në rininë e vendit.
“Kemi arritur që zotimin e dhënë në mbrëmjen humanitare ta bëjmë realitet dhe të përmbyllim në një listë prej 110 studentëve përfitues. Deri më tani kemi mbështetur të gjitha kërkesat e ardhura, në mënyrë që t’i mbështesim të gjithë të rinjtë në rrugëtimin e tyre akademik”, ka thënë pronari, Ajrullahu.
Nazim Gagica, drejtor i arsimit në Gjilan, veprën e Muhamet Ajrullahu e theksoi se është vepër e madhe e dimensionit filantropik, i kujdesit të biznesit për shoqërinë, i bazuar në përgjegjsinë morale dhe etikën e të bërit biznes që sot në botë është një trend, ku korporatat e mëdha mbështesin rininë dhe studentët në veçanti.
Në emër të studentëve, Fjolla Hajdari, apsolvente e menagjmentit, ka fëlënderuar donatorin ‘AR Katana’ dhe Komunën e Gjilanit për kujdesin që kanë ndaj studentëve dhe për mundësinë e dhënë në rrugën e tyre të profesionalizmit.