Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka paralajmëruar se janë të paktën tetë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët dëshirojnë t’i bashkëngjitën subjektit të dytë më të madh opozitar.
Ai tha se kjo vjen si pasojë e pakënaqësive që ekzistojnë mes deputetëve të LVV-së me njëri tjetrin dhe të indikacioneve të tjera.
Po ashtu, ligjëvënësi Gashi shtoi se në vjeshtë do të ketë një rritje të opozitë-bërjes së LDK-së.
“Deri në zgjedhjet lokale, ka qenë ideja që ne me duhet të shohim se si të rikthehemi dhe stabilizohemi. E para, qeveria i ka marrë 50 për qind të votave, duhet të ia lëmë një kohë atyre të qeverisin, të jemi proaktiv dhe propozues për çdo temë. Albini na ka thonë unë i kom 70 deputetë, mendoj se koha e Kurtit për një qeverisje komode, i ka skaduar. I ka bërë dy vjet qeverisje”, theksoi Gashi.
“Po hymë në fazën, në vjeshtë do të shohim ngritjen e opozitarizmit, dhe pranvera e ardhshme nëse nuk do të ketë ndonjë rënie të qeverisë në vjeshtën e vonshme sivjet. Ka lëvizje brenda koalicioneve, ka pakënaqësi me partnerët, mes deputetëve të LVV-së. Ka plotë indikacione, ka interesime të deputetëve të vinë në GP të LDK-së, janë të paktën tetë deputetë”, deklaroi ai në Debat Plus.