Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili edhe drejton Grupin Parlamentar, ia ka kritikuar kryeministrit Albin Kurti deklaratën për çështjen e reciprocitetit, pra se do të jetë çështje ditësh e jo javësh se kur do të vendoset.
Gashi thotë se tashmë Kosova importon hiq më pak se 360 milionë nga Serbia.
“A ju kujtohet kauza e reciprocitetit, e në fund hiq ma pak se 360 milionë importe prej Serbisë, por mbetet ende shprehja: është çështje ditësh se kur do të vendoset reciprociteti”, ka thënë Gashi.
Tutje ai ka përmendur edhe kauzën e Kurtit për targat dhe për Asociacionin.
“A ju kujtohen targat. A ju kujtohet kauza e Asociacionit, shkoj në Ohër nënshkruajti marrëvehsje për autonomi”, ka thënë Gashi.
Tutje ka thënë se Kurti në rrafshin ndërkombëtar i ka dëmtuar raportet e Kosovës me aleatët.
“Në rrafshin ndërkombëtar, kryeministri mashtron, dëmton raportet e Kosovës me aleatët. Çfarë rezultati është ky. Vetëm I mirë s’mund të quhet. Çdo krizë e ka ushqyer, e ka përdorur për veti, pavarësisht dëmit që i ka shkaktuar shtetit. Çfarë ke ndërmend t’iu ofrosh kundërshtarëve të Kosovës, deri ku shkon ti”, ka shtuar tutje Gashi.
Gjuhën ndaj Sekretarit Blinken, Gashi e ka quajtur si një skandal historik.
“Gjuha e përdorur ndaj sekretarit Blinken, është skandal historik. Ti s’je zgjedhur kryeministër që ta shkatërrosh Kosovën. Ne kemi pasur të drejtë vazhdimisht, por kemi pasur sukses kur kemi bashkëpunuar me SHBA-në”, ka thënë Gashi tutje.
Shefi i deputetëve të LDK-së ka thënë se Kosova duhet ruajtur nga Serbia, Rusia dhe “budallakitë e Kurtit”
“Kosova e meriton kthimin e sovranitetit në veri, Kosova është storie suksesi e ndërkombëtareve. Ta ruajmë Kosovën nga Serbia, Rusia dhe budallakia e kryeministrit. Kosova s’i ka borgj askujt, të gjithë i kemi borgj Kosovës”, ka thënë Gashi.
Pas kësaj ka ndërhyrë kryetari Konjufca, duke bërë thirrje për kujdes të fjalorit parlamentar.