Të dashur miq,
Tani më kur numërimi i votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit ka përfunduar, më lejoni që t’ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve për mbështetjen dhe për angazhimin tuaj të jashtëzakonshëm gjatë këtij procesi zgjedhor.
Kam pasur nderin dhe privilegjin të jem kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Kandidati jonë për Kryeministër, Bedri Hamza, dhe nga Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë 17523 votuesit që besuan tek unë dhe që votuan për mua, nga Gjilani e Anamorava dhe të gjitha fshatrat e qytetet e Kosovës, përfshirë edhe bashkatdhetarët tanë në mërgatë.
Ne punuam fort në këtë betejë të madhe dhe arritëm ta rrisim votën dhe besimin për Partinë Demokratike të Kosovës. Faleminderit nga zemra strukturave të PDK-së për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe përkushtimin në këto zgjedhje.
Pavarësisht, që rezultati që kam arritur nuk më mundëson të jem pjesë e Kuvendit të Kosovës, unë ndjehem krenar dhe shumë falënderues për besimin e madh që kam marrë nga qytetarët e vendit tim.
Unë e pranoj këtë rezultat me dinjitet dhe respekt për zgjedhjen që kanë bërë qytetarët e Kosovës dhe votuesit e PDK-së.
Me këtë rast, dëshiroj të përcjell urimet më të mira për secilin deputet të zgjedhur për legjislaturën e re, me besimin e plotë se interesat e qytetarëve të Kosovës do të përfaqësohen denjësisht.
Gjatë kësaj fushate, kam takuar shumë miq të vjetër dhe kam përfituar shumë miq të rinj, ndaj të cilëve do të jem gjithmonë falënderues dhe do ta kenë një vend të veçantë në zemrën time.
Faleminderit që keni qenë me mua, që besoni në këtë vend dhe në mundësinë për ta bërë Kosovën ma mirë!
Unë besoj fuqishëm në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në të ardhmen e ndritur të vendit tonë, sepse Kosova meriton më shumë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për ta bërë realitet këtë vizion.
Faleminderit shumë!