Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ka vizituar 5 vjeçarin nga Lipjani, i cili po trajtohet aty pasi që u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore, shkruan Gazeta 10.
Gjatë vizitës, Vitia është njoftuar nga afër nga stafi mjekësor për gjendjen e fëmijës dhe trajtimin që po i ofrohet në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik. Sipas mjekëve, fëmija ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil dhe është nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Fëmija ishte pranuar fillimisht në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe me ndryshime gangrenoze, ndërsa më pas është hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë për trajtim të specializuar.
Në procesin e trajtimit janë të përfshirë specialistë të ndryshëm, përfshirë kirurgë dhe pediatër, ndërsa po realizohen edhe ekzaminime të vazhdueshme laboratorike dhe imazherike.
Me rastin e kësaj vizite, është bërë e ditur se institucionet janë në koordinim për trajtimin dhe mbrojtjen e fëmijës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, si dhe me Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Lipjanit, pritet të ndërmerren hapat e nevojshëm për mbrojtjen ligjore dhe sociale.
Ndërkohë, për shkak të rrethanave të rastit dhe dyshimeve për keqtrajtim, janë njoftuar edhe organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale.
Fëmija aktualisht ndodhet nën përkujdesje të plotë institucionale, pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor, ndërsa trajtimi i tij po vazhdon nga një ekip multidisiplinar në QKUK.

