E nisëm një rrugëtim të gjatë, me përplot vullnet, dhe angazhim. Me një ekipë të madhe skuadre, me të cilët punuam ditët e natë për rikonfirmimin e madh. U organizuam e u besatuam, gjithandej. Shkuam në balotazh. Bëmë shumë përpjekje, megjithatë, vendimi i sovranit foli ndryshe, të cilin vendim e konsiderojmë si të shenjtë dhe i cili duhet të respektohet nga të gjithë, në përpikmëri.
Falënderoj 20,515 votuesit e LDK-së, të cilët, për 860 vota, kësaj rradhe nuk arritën ta përmbysin rezultatin. Megjithatë, për mua personalisht, është nder dhe krenari që më është besuar udhëheqja e shtabit zgjedhor.
Ndërsa, mirënjohje dhe falënderim i madh shkon për kryetarin Lutfi Haziri, i cili më dha hapësirë dhe gatishmeri t’i shërbejë bashkëqytetarëve, si dhe familjes politike të LDK-së. Gjithashtu, falënderoj aktivistët, e strukturat, për mobilizimin e organizimin e parreshtur, ditë e natë, për vullnetin e tyre të plotë në jetësimin e idealeve.
Ajo që mund të garantojë është se gjithmonë do të jem besnik i Lidhjes Demokratike, qoftë edhe nga vetëm cilësia e votuesit të saj. Kjo familje politike më ka dhënë mundësi, vullnet e inspirim për t’i njohur qytetarët, trajtimin e problemeve dhe halleve të tyre, e mbi të gjitha, njohjen dhe zhvillimin e politikave lokale të cilat janë në interesin e përgjithshëm të qytetarëve tanë.
Ajo që kam mësuar nga politika është se, politika dhe fati i qytetarëve të një vendi formohen nga njerëzit me ideale dhe ata të cilët kanë madhështi ndërnjerëzore. Mbetem me shpresë që këto ideale premtuese të vazhdojnë të jetësohen edhe më tej për të mirën e qytetarëve tanë, pavarësisht, pushteteve!