Të dashur qytetarë,
Koha në të cilën po kalojmë kërkon qartësi, përgjegjësi dhe një komunikim të ndershëm me publikun. Në një realitet ku zhurma shpesh mbulon arsyen, e ndjej të domosdoshme të ndaj disa qëndrime të mia lidhur me zhvillimet dhe klimën që po mbizotëron në jetën tonë publike.
Nganjëherë, ndoshta heshtja është një zgjedhje e vetëdijshme për të mos u bërë pjesë e një klime që, fatkeqësisht, po degradon çdo ditë. Jeta publike sot është rënduar nga një gjuhë poshtëruese, linçuese dhe thellësisht përçarëse, e cila përdoret shpesh vetëm pse dikush nuk i përket një krahu të caktuar politik.
Në këtë klimë, po dëshmojmë me shqetësim të thellë edhe përdhosjen e figurave dhe familjeve që janë themel i lirisë dhe shtetndërtimit tonë. Po sulmohen padrejtësisht familja Jashari, familja Haradinaj, familja Thaçi dhe shumë figura të tjera, të cilat kanë dhënë një jetë të tërë për krijimin e Republikës sonë. Madje, në mënyrë edhe më të rëndë, po cenohet dinjiteti i dëshmorëve dhe martirëve tanë, duke mos u kursyer as respekti ndaj tyre në përjetësi.
Në vend të debatit të mirëfilltë dhe racional, kemi stigmatizim dhe etiketim. Kjo ka prodhuar pasoja serioze në besimin qytetar, në cilësinë e vendimmarrjes dhe në kohezionin tonë shoqëror.
Gjithashtu, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale kam paralajmëruar qartë për mungesë planifikimi dhe qasje joprofesionale në qeverisjen komunale, përfshirë mungesën e projekteve të mirëfillta zhvillimore, vendimmarrjen pa vizion afatgjatë dhe keqmenaxhimin e resurseve publike. Shembuj të tillë, si ndërhyrjet e paarsyeshme në infrastrukturë, përfshirë shtrimin dhe më pas dëmtimin apo heqjen e asfaltit pa strategji të qëndrueshme, si dhe moszgjidhja e problemeve bazike si qentë endacakë, janë dëshmi e qartë e mungesës së seriozitetit institucional. Lista e sfidave, problemeve dhe degradimit institucional e politik është e gjatë dhe ku nuk mund të sanohet me vite të tëra.
Si anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbetem i përkushtuar të jap kontributin tim njerëzor, profesional dhe politik me integritet dhe përgjegjësi. Besoj fuqishëm se politika duhet të mbetet hapësirë e dialogut, e jo e përçarjes dhe e gjuhës së urrejtjes.
Nuk do të jem asnjëherë, kurrë e per asnjë çmim, pjesë e kësaj klime denigruese. Përkundrazi, e konsideroj detyrim të punoj për rikthimin e standardit, etikës dhe dinjitetit në komunikimin publik.
Zoti na ndihmoftë të dalim faqebardhë nga kjo katrahurë politike dhe krizë shoqërore.
#Bashkeiadalim ✌🏻

