Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka reaguar pas protestës së organizuar nga bizneset lokale kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe hyrjes në tregun e lirë pa masa mbrojtëse.
Ai ka shprehur mbështetje të plotë për kërkesat e bizneseve, duke theksuar se vendimet e paanalizuara të qeverisjes po e dërgojnë drejt falimentimit gjithë zinxhirin ekonomik, nga ndërmarrjet e vogla e deri te ato të mëdha.
Ky është postimi:
Kur energjia bëhet barrë e rëndë, protestat janë detyrim! Bizneset e vogla lokale kurrë nuk u përkrahën nga qeverisja lokale, u lanë të mbijetojnë vetë me shumë vështirësi. Tash, edhe bizneset e mëdha po përballen me rrezikun e mbylljes nga vendimi për hyrje në tregun e lirë të energjisë. Kur goditet gjithë zinxhiri ekonomik, askush nuk mbetet i paprekur!
Bizneset nuk mund të mbijetojnë në një treg të lirë pa rregulla, pa afat dhe pa mbrojtje. Një vit kohë dhe një paketë ligjore nuk janë luks, janë domosdoshmëri! Kjo nuk është vetëm betejë e bizneseve, por e çdo qytetari që rrezikon vendin e punës. Shteti nuk duhet të shtyjë drejt falimentimit ata që mbajnë ekonominë gjallë.
Kjo protestë është alarm e çdo injorim i saj është katastrofë për bizneset, punëtorët e tyre, qytetarët dhe vetë Republikën. Sot jemi me ata që rezistojnë, sepse, nesër mund të mos ketë kush të ngrihet më nga receta e falimentimit të tyre nga politikat e gabuara të pushtetarëve!