Të dashur qytetarë,
Jemi në ditët e fundit para një vendimi të madh për qytetin tonë. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për zërin dhe votën tuaj.
Vota juaj është me vlerë të veçantë, sepse është votë për një Gjilan më të mirë, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Ju kërkojë falje të gjithë atyre që s’kam arritur t’ju takoj, por, ju premtojë që do të takohemi e do të qeverisim bashkë, sepse motoja ime ka qenë dhe mbetet të bashkëqeverisim me qytetarët.
Të gjithë i kemi dëgjuar premtimet boshe të vitit 2021. Janë të njëjtit njerëz që i kemi provuar tash e katër vite. Ata nuk kan ndryshuar. Mos u mashtroni nga ata që nuk punojnë, por, të vetmen punë që e dinë është të etiketojnë, të linçojnë e të shantazhojnë edhe në familje këdo që mendon ndryshe. Kjo nuk është kultura politike e përfaqësimit të Gjilanit tonë, as politika që ne e duam. Pikërisht, edhe kjo është arsyeja kryesore që nuk do t’i japim mundësi një mendësie linquese në përballje direkte me mua në këtë fazë të rëndësishme për ta aktivizuar ushtrinë e tyre linquese për të manipuluar me të pavërteta, sharje e ofendime.
Në këtë balotazh, çdo votë ka peshë. Ju që nuk keni dalë më 12 tetor, ju ftoj me sinqeritet të dilni dhe ta ushtroni të drejtën tuaj. Mos i lini të tjerët të vendosin për ju, për familjet tuaja dhe për të ardhmen e qytetit tonë.
E di që shumë prej jush jeni anëtarë apo simpatizantë të subjekteve të tjera politike, apo nuk i takoni askujt. Por, përtej ngjyrave dhe partive, është në pyetje Gjilani ynë i përbashkët, projekti ynë për Gjilanin e ri. Kjo është një thirrje qytetare, jo partiake, për një qeverisje të ndershme, me duar të pastra dhe që bashkëqeveris me ju.
Mos bini pre e blerjeve të votave e premtimeve të kota që përsëriten sa herë ka zgjedhje. Mos lejoni që dikush t’ju përdorë për mashtrime, për pazare politike apo për interesa që e varfërojnë qytetin tonë.
Gjilani nuk ka nevojë për kërcënime e shantazhe ndaj qytetarëve e bizneseve. Ka nevojë për dinjitet, drejtësi, parime dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Prandaj, më 9 nëntor, dilni dhe votoni për ndryshimin e domosdoshëm. Votoni për numrin 113 për LDK-në dhe për mua si kandidat. Votoni për një qeverisje që punon me zemër, për një Gjilan të ri të bashkuar dhe të zhvilluar, që do të na bëjë krenarë të gjithëve.
Përgjithmonë i juaji,
Arbër R. Ismajli

			








