Sot jemi mbledhur jo vetëm për të përuruar një libër, por për të përkujtuar një jetë. Jetën e një njeriu që nuk jetoi për veten, por për të tjerët. Libri “Liria mbi të gjitha”, me autor Ismet Rashiti, është një dëshmi e gjallë e një rruge të ndershme, të guximshme dhe thellësisht humane, rruga e Mustafë Shalës.
Sot ndalemi me nderim për të kujtuar një njeri që jetoi me dinjitet dhe la pas gjurmë të thella. Mustaf Shala nuk ishte thjesht një afarist i suksesshëm. Ai ishte një humanist i rrallë, që e ktheu biznesin në mision për të ndihmuar te tjeret. Ai nuk e shihte pasurinë si privilegj personal, por si mundësi për të shërbyer të tjerëve, në heshtje dhe me përulësi. I njohur për ndihmën e pakursyer ndaj njerëzve në nevojë, përkrahjen ndaj luftës çlirimtare dhe përkushtimin ndaj komunitetit, Mustafa veproi pa bujë, por me përkushtim të madh, duke lënë pas një trashëgimi të vërtetë njerëzore.
Ai ishte mik i secilit që trokiste në derën e tij dhe mbështetës i vlerave që ndërtojnë një shoqëri të shëndoshë. Në kohë krizash, ai nuk u tërhoq, por qëndroi pranë atyre që kishin më së shumti nevojë. Bamirësia e tij nuk kishte kamera, as fjalë të mëdha. Bamiresia e tij kishte vetem shpirt.Gjilani humbi një burrë të rrallë, qytetaria një shembull, dhe biznesi një model ndershmërie. Sot, kur kujtojmë Mustafën, nuk flasim vetëm për atë që ishte, por për atë që na la, per vlera, ndershmëri dhe përkushtim. Ai do të mungojë në çdo tavolinë ku dikur uleshim e diskutonim për hallet e qytetit dhe të kombit.
Mustafa besonte se suksesin e vërtetë nuk e mat pasuria, por gjurmët që lë në jetët e të tjerëve. Dhe ai la shumë gjurmë të thella dhe të paharruara. Shpirti i tij do të jetojë përherë në memorien e cdo qytetari gjilanas, e në vecanti, si simbol i perkushtimin në bërjen e Republikës.