Arbër Ismajli, kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, ka reaguar ashpër ndaj largimit të padrejtë të një numri të madh drejtorësh dhe zëvendësdrejtorësh shkollash në komunë, duke e cilësuar këtë veprim si një hakmarrje politike të ulët dhe një goditje të rëndë ndaj sistemit arsimor.
Sipas tij, në vend të përvojës dhe meritës, pushteti aktual po e zëvendëson menaxhmentin shkollor me militantë partiakë përmes konkurseve të manipuluara dhe në kundërshtim me ligjin.
Ismajli thekson se ky degradim i qëllimshëm i arsimit nuk do të tolerohet dhe paralajmëron kthimin e drejtësisë dhe profesionalizmit në udhëheqjen arsimore, duke e cilësuar muajin tetor si momentin e ndryshimit të madh për Gjilanin.
Statusi i plotë:
Drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave që u larguan padrejtësisht janë viktima të një hakmarrjeje politike shumë të ulët. Në vend të meritës dhe përvojës, u zëvendësuan për interesa të ngushta. Konkurset publike po manipulohen për militantë, ligji po shkelet, dhe arsimi po goditet rëndë.
Asnjëherë nuk do të pranojmë që shkollat tona të humbasin rolin e tyre edukues e menaxhues për interesa të dikujt. Drejtësia dhe profesionalizmi do të kthehen në udhëheqje të arsimit. Tetori po vjen bashkë me përgjigjen e merituar!