Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka zhvilluar një takim të frytshëm me sportistët e qytetit, ku ka diskutuar nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen klubet sportive lokale.
Në takim, Ismajli ishte i shoqëruar nga kandidatët për Asamble Komunale, Fatos Ramadani, Driton Nuhiu, Gresa Avdiu, Isa Musliji dhe Gentrit Murseli. Ai ka theksuar se gjendja aktuale e sportit në Gjilan është e vështirë dhe se shumë klube janë mbyllur për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale.
“Ajo çka pashë nga afër ishte emocioni, vendosmëria, por edhe zhgënjimi për shkak të institucioneve lokale që i kanë lënë pas dore. Stadiumi nuk ka përfunduar, ndërsa palestrat sportive në qytet dhe në Zhegër janë jofunksionale. Sportistët janë lënë pa hapësira për stërvitje dhe pa mbështetje financiare,” – ka deklaruar Ismajli.
Ai ka shtuar se sportistët gjilanas janë të talentuar dhe të përkushtuar, por mungesa e kushteve i ka penguar të arrijnë suksesin që meritojnë.
“Sportistët tanë kërkojnë vetëm kushte normale, mbështetje të drejtë financiare dhe respekt për përkushtimin e tyre. Me qeverisjen tonë, sporti në Gjilan do të hyjë në një epokë të re zhvillimi dhe përparimi. Stadiumi dhe palestrat do të përfundojnë menjëherë, ndërsa sporti do të rikthehet në identitetin e tij të dikurshëm,” – ka shtuar ai.
Në fund, Ismajli ka falënderuar sportistët për mbështetjen dhe besimin, duke premtuar se sporti do të jetë një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.