Në kuadër të takimeve me bizneset vendore, Arbër Ismajli, së bashku me bashkëpunëtorë të afërt, ka vizituar sot fabrikën e biçikletave “Albimi LTD” – një prej pikave më të suksesshme të prodhimit industrial në Gjilan dhe në tërë Kosovën.
Gjatë vizitës, u vlerësua lart përkushtimi, profesionalizmi dhe standardet bashkëkohore që kjo fabrikë aplikon në procesin e prodhimit. “Albimi LTD” është tashmë një shembull konkret i fuqizimit të sektorit privat dhe promovimit të punës cilësore brenda vendit.
Arbër Ismajli theksoi se mbështetja për prodhimin vendor do të jetë një prioritet kyç në qeverisjen e ardhshme, duke shtuar se:
“Krijimi i kushteve të favorshme për bizneset vendore nuk është vetëm një obligim ekonomik, por një përgjegjësi kombëtare. Do të angazhohemi fuqishëm për politika zhvillimore që e vendosin prodhuesin vendor në qendër të strategjive tona.”
Një falënderim i veçantë u shpreh për z. Ibrahim Krivaqa, pronar i fabrikës, dhe bashkëpunëtorët e tij, për mikpritjen, transparencën dhe përkushtimin e treguar në ndërtimin e një klime të qëndrueshme ekonomike në komunën e Gjilanit.
Ismajli përfundoi duke theksuar se mbështetja e prodhimit vendor është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e qëndrueshme ekonomike të vendit, dhe se fabrika si Albimi janë dëshmi se me përkushtim dhe vizion, zhvillimi është jo vetëm i mundshëm, por i prekshëm./Radio Star/