Arbër Ismajli do të zyrtarizohet të enjten si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit.
Emri i tij, tashmë i njohur për qytetarët e këtij qyteti, vjen si zgjedhje e re nga LDK, e cila i ka besuar garën për të parin e komunës, duke reflektuar një vendim të menduar mirë dhe të bazuar në kërkesat e qytetarëve.
Ismajli ka qenë më parë nënkryetar i komunës dhe kujtohet për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj qytetarëve, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, ku angazhimi i tij u vlerësua gjerësisht.
Që nga përmendja e emrit të tij si kandidat, ai është pritur me entuziazëm nga qytetarët, të cilët po i japin mbështetje të madhe përmes takimeve të përditshme në qytet dhe fshatra.
Ky reagim pozitiv në terren shihet si dëshmi e lidhjes së tij të ngushtë me komunitetin dhe besimit që ka krijuar gjatë viteve. Përkrahja e vazhdueshme që po merr nga baza qytetare shihet gjithashtu si konfirmim se hapat politikë të ndërmarrë nga LDK janë të menduar mirë dhe në përputhje me pritjet e elektoratit në Gjilan./Radio Star/