Në natën e pestë të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës 2024”, që po mbahet në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024” është dhënë shfaqja “Arbri”, që është prodhim i Teatrit “Oda” nga Prishtina.
Edhe në këtë mbrëmje, publiku gjilanas i etur për shfaqje të mirëfillta e ka pritur dhe përcjellë me kërshëri këtë projekt teatral, në të cilën trajtohet përditshmëria e një babai të prekur nga sëmundja e demencës dhe ballafaqimin e familjes me sëmundjen e kryefamiljarit, e regjinë e së cilës e ka bërë Lirak Çelaj.
Shfaqja ka gati një vit që rrugëton nëpër teatrot tona dhe së fundi është përzgjedhur që të jetë në konkurrencë në “Talia e Flakës 2024” e në të janë paraqitur aktorët Shkumbin Istrefi, Qëndresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Marku e Blend Sadiku, kurse skenografinë e shfaqjes e ka bërë Burim Arifi.
Kjo shfaqje, në mundësitë e pakta për trajtimin e sëmundjeve të tilla nga institucionet gjegjëse dhe nga mosmbështetja nga shtetit, në fakt paraqet përditshmërinë e një familjeje kosovare, me problemet dhe preokupimet në luftë me jetën e vështirë.
Kryepesonazhi i shfaqjes, Arbri, është i prekur nga sëmundja e demencës, që në terminologjinë mjekësore është një emërtim për humbjen progresive dhe të përhershme të aftësive intelektuale të arritura gjatë jetës dhe që prek kryesisht personat e moshuar dhe gjatë përparimit të kësaj sëmundje, gjithnjë e më tepër ndaj të sëmurit është e duhur një përkujdesje e veçantë nga rrethi familjar, në mënyrë që i sëmuri të mund të mbahet më gjatë në kontaktet e mëhershme dhe që të pengohet rënia e tij e përshpejtuar.
Arbrit, kryepersonazhit të shfaqjes, kohë më parë i ka vdekur gruaja, njëra vajzë e tij, Lulja ka rënë dëshmore në luftën çlirimtare dhe tashti në shtëpi ai jeton me vajzën e madhe të tij, Anën, e cila katër vite më parë ishte ndarë nga burri i saj Agroni.
Tashti, i tërë përkushtimi i saj është përkujdesja për babanë e sëmurë, gjendja e të cilit çdo ditë e më shumë përkeqësohet. E ajo është e përkushtuar edhe në marrëdhënien e re me Petritin, i cili punon larg sa në Bruksel, Beograd e Stamboll.
Në një gjendje të tillë dhe me përkeqësimin e shëndetit të babait, ajo është e detyruar që babanë t’a dërgojë në një institucion privat për përkujdesje.
Në fakt, rasti i familjes së Arbrit, paraqet shumë raste të familjeve në Kosovë, të cilat e kalojnë nëpër drama të tilla, kurse me qasjen regjisoriale, Çelaj është përpjekur që shfaqjes t’i jap edhe dimensionin tjetër, atë të harresës kombëtare – “demencës kombëtare”, siç kishte thënë vetë ai, apo të “amnezisë kombëtare”, ngase shpesh tek ne sikur po harrohet e kaluara jo e largët, po harrohen identiteti, rrënjët tona dhe orientimi i ynë.
Në mbrëmjen vijuese që është edhe mbrëmja e fundit e “Talia e Flakës 2024” do të jepet shfaqja “Club Albania” nga Teatri Kombëtar i Kosovës