Ish-kryetrajneri i SC Gjilanit, Ardian Nuhiu, ka dhënë një reagim pas largimit nga klubi, ku thekson se vendimi i tij për të përfunduar kontratën është marrë mbi bazën e parimeve dhe vlerave të tij personale.
“Kam dhënë maksimumin tim në çdo moment bashkë me stafin dhe skuadrën, kemi punuar me përkushtim të plotë, por në disa raste ka munguar edhe fati sportiv. Besoj se në jetë vlerat, respekti dhe vlerësimi i duhur për situata të tilla kanë më shumë rëndësi sesa thjesht një kontratë,” ka deklaruar Nuhiu.
Ai shtoi se ka besim të madh te skuadra dhe se lojtarët do të vazhdojnë të japin gjithçka, por duke qenë i bindur se ishte momenti i duhur, vendosi të japë dorëheqjen.
“E marr këtë vendim nga respekti i madh për një klub kaq të rëndësishëm dhe me histori si Gjilani. Nuk arrita të transmetoj plotësisht atë që dëshiroja për këta djem, edhe pse në çdo stërvitje dhanë maksimumin e tyre,” u shpreh trajneri.
Në fund, Nuhiu falënderoi presidentin, drejtuesit e klubit, stafin, futbollistët dhe tifozët për mbështetjen dhe besimin, duke theksuar se do të mbetet gjithmonë përkrah SC Gjilanit në rrugëtimin e tij përpara.