Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila u zgjodh në krye të kësaj komune pas një marrëveshje mes katër subjekteve politike atje ka thënë se qytetarët e kësaj komune kanë vendosur që opozita e dikurshme të jetë një qeveri e re dhe ish pushteti të jetë opozitë.
“Nga marrëveshja politike me katër partitë politike ne kemi siguruar 22 vota, ndërsa nëse e përkthejmë në vota i bie mbi 11 mijë vota. Qytetarët e Preshevës do të jenë të barabartë, do të jemi në shërbim të tyre, ata prioritet kanë ujin e pijshëm, menaxhimin e mbeturinave, po ashtu bujqësia e blegtoria do të kenë prioritet së bashku me bizneset e vogla dhe të mesme”.
Sinani si sfidë të qytetarëve të Preshevës e sheh edhe qasjen që sipas saj ka Beogradi ndaj shqiptarëve të cilët po përballen me një shpërngulje masive si dhe me probleme socio-ekonomike.
“Por, ne partneret e koalicionit në Preshevë por edhe në Medvegjë e Bujanoc duhet t’i bashkërendojmë qëndrimet karshi Beogradit zyrtar në mënyrë që t’i parashtrojmë kërkesat tona elementare”, ka thënë Sinani, njofton KlanKosova.tv.
Udhëheqësja e re Preshevës zgjedhjen e saj në krye të kësaj komune e sheh si historike, pasi që sipas saj me këtë fitore ka humbë ndikimi i Beogradit përmes Listës Serbe dhe përmes Shqiprim Arifit në Preshevë.
Ajo, gjithashtu ka kërkuar bashkëpunim mes përfaqësuesve të Preshevës me përfaqësuesit e Prishtinës dhe Tiranës për çështjen e dialogut duke thënë se është domosdoshmëri e kohës që çështja e Preshevës të diskutohet në tavolinën e bisedimeve.
“Bashkëpunimi mes përfaqësuesve të Preshevës me ata të Prishtinës dhe Tiranës duhet të jenë të koordinuara dhe të harmonizuar për të çuar procese përpara e sidomos në këtë fazë delikate me të cilën po përballemi në shqiptarët e Preshevës dhe në fazën finale të dialogut e cila është jetike dhe domosdoshmëri e kohës që çështja e Preshevës të diskutohet në tavolinën e bisedimeve”.
Ndërsa, për urimet e politikanëve shqiptarë për zgjedhjen e saj në krye të Komunës së Preshevës thotë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, nuk e kanë uruar por që një gjë të tillë e kanë bërë bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë.
“Zoti Rama dhe Zoti Kurti akoma nuk më kanë uruar, por bashkëpunëtorët e tyre të afër e kanë bërë një gjë të tillë.”