Qeveria amerikane synon të nisë shumë shpejt ofrimin e vaksinave përforcuese kundër koronavirusit, për amerikanët e moshave nga 16 vjeç e lart.
Një panel i jashtëm i këshilltarëve në Administratën për Ushqim dhe Ilaçe (FDA) ka votuar kundër një vendimi të tillë të premten, më 17 shtator, ndonëse ka mbështetur dozat përforcuese për personat mbi 65 vjeç. Sugjerimi i këtij paneli të pavarur nuk është detyrues.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Bidenit përballet me kritika brenda komunitetit shkencor nëse janë të nevojshme dozat përforcuese për popullsinë e përgjithshme, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
Çfarë thonë të dhënat rreth nevojës për doza shtesë?
Kompania amerikane, Pfizer dhe partnerja e saj gjermane, BioNTech, kanë prezantuar, secila, analiza të provave klinike, që kanë treguar se efikasiteti i vaksinës të tyre – që fillimisht është vlerësuar të ketë qenë 90 për qind kundër simptomave të COVID-19 – zbehet me kalimin e kohës.
Si rezultat, ato thonë se, njerëzit që janë vaksinuar në fillim të procesit të vaksinimit, tani janë më të cenueshëm ndaj infektimit, sidomos në rastin e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.
Dozat përforcuese ndihmojnë në rikthim të niveleve të zbehura të antitrupave, të prodhuara nga vaksinimi fillestar, kanë thënë prodhueset e vaksinës.
Të dhënat nga testimet klinike të Pfizerit, me 30,000 persona, sugjerojnë se efikasiteti i vaksinës është zbehur për gati 6 për qind çdo dy muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Në testimin e dytë me 300 pjesëmarrës, të cilët kanë marrë dozat përforcuese, një e treta e tyre ka treguar përgjigje më të mirë imunitare, sipas Pfizerit.
Kompania tjetër, Moderna, ka thënë se ka gjetur shkallë më të lartë të infektimit të rëndë në mesin e pjesëmarrësve që kanë marrë dy dozat e saja të vaksinës 13 muaj më parë, në krahasim me ata që janë vaksinuar tetë muaj më parë.
Periudha e studimit ka qenë nga korriku në gusht, kur varianti Delta ka qenë dominues.
Rregullatorët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara janë duke analizuar me kujdes të dhënat botërore rreth efikasitetit të vaksinës dhe dozave përforcuese të dhëna në Izrael, ku shumica e popullsisë atje ka marrë vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech.
Izraeli është duke ofruar doza përforcuese të vaksinave për secilin person nga mosha 12-vjeçare e lart.
Ministria izraelite e Shëndetësisë, ka raportuar këtë javë për disa të dhëna që tregojnë që më shumë se 1.1 milion persona të moshës nga 60 vjeç e tutje kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës Pfizer, duke rezultuar me zvogëlim të shkallës së infektimit dhe zbutje të simptomave të rënda të COVID-19 në atë grup.
Autorët kanë thënë se studimi i tyre sugjeron se doza përforcuese mund të rikthejë efikasitetin në mesin e atyre që marrin vaksinën, për 95 për qind.
Përveç parandalimit të sëmurjes së rëndë, disa zyrtarë shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, kanë thënë se dozat përforcuese mund të ndihmojnë në parandalim të përhapjes së koronavirusit, teksa shumë shtete janë duke raportuar për rritje të shkallës së infektimit.
Ku bazohet kritika?
Shumë ekspertë për vaksina kanë thënë se të dhënat e prezantuara deri më tani sugjerojnë dhënien e vaksinës shtesë për personat më të moshuar dhe ata me sistem më të dobët imunitar.
Në mesin e kritikëve janë edhe dy shkencëtarë të FDA-së, të cilët kanë dhënë dorëheqje pasi Qeveria amerikane ka bërë të ditura planet për doza shtesë.
Për shembull, një raport nga Ministria e Shëndetësisë në Izrael ka treguar se rreziku më i madh i infektimit të rëndë qëndron në mesin e personave të vaksinuar mbi moshën 60-vjeçare, në krahasim me personat e moshave 50-59 dhe 40-49, ndonëse grupet më të reja përfshijnë persona që janë vaksinuar më shumë se gjashtë muaj më parë.
Studime tjera në Shtetet e Bashkuara tregojnë se vaksinat mbesin tejet efektive kundër sëmurjes së rëndë dhe vdekjeve të të rriturve nën moshën 65-vjeçare.
Shumë shtete tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë, kanë thënë se do të japin doza përforcuese për grupet më të moshuara dhe ato më të rrezikuara.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara dhe shtete tjera më të pasura, duhet të ndalin procesin e ofrimit të dozave shtesë, dhe që këto doza duhet të ndahen për personat që ende nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës në shumë pjesë të botës.
Shkencëtarët po ashtu kanë thënë se ekzistojnë faktorë hutues gjatë analizimit të zbehjes së efikasitetit të vaksinës dhe ndikimit të dozave përforcuese, duke përfshirë diskutimet nëse Delta mund të ketë ndikim më të madh te personat më të moshuar dhe nëse vendosja e maskës në disa vende – në vend të dozave përforcuese – është duke ndihmuar në parandalim të përhapjes së virusit.
Ata kanë thënë po ashtu se të dhënat për dozat përforcuese bazohen në testime të vogla klinike./REL