Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën drejtimin e kryesuesit të deritashëm, Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, mbajti takimin e jashtëzakonshëm, të 288-tin me radhë.
Në fillim të mbledhjes, dy kandidatët e nominuar për pozitën e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi dhe z. Milot Krasniqi, paraqitën para anëtarëve të Këshillit ekspozetë e tyre, duke elaboruar arsyetimin e kandidimit, motivet dhe objektivat programore për ushtrimin e kësaj detyre institucionale. Pas përfundimit të prezantimeve dhe zhvillimit të procedurës së votimit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, me shumicë votash, zgjodhi z. Arian Gashi në funksionin e Kryesuesit të KPK-së. Z. Gashi është anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Mandati i tij si Kryesues fillon nga data e zgjedhjes dhe do të zgjasë deri në përfundimin e mandatit të tij si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pas marrjes së detyrës, Kryesuesi i sapozgjedhur, z. Arian Gashi, mori drejtimin e pjesës së mbetur të takimit. Me këtë rast, ai falënderoi anëtarët e Këshillit për besimin e dhënë dhe theksoi se gjatë ushtrimit të mandatit të tij do të angazhohet me përkushtim të plotë për forcimin e rolit institucional të KPK-së, avancimin e proceseve reformuese dhe zhvillimin e mëtejmë të sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës.
Në vijim, z. Gashi paraqiti dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Komisionit për Çështje Normative të KPK-së, në përputhje me parimet e funksionimit institucional dhe ndarjes së përgjegjësive brenda Këshillit. Dorëheqja e tij u miratua njëzëri nga anëtarët e KPK-së.
Më pas, kandidati për pozitën e Zëvendëskryesuesit të KPK-së, Prof. Ass. Dr. Dardan Vuniqi, anëtar i Këshillit nga radhët e profesorëve universitarë të fushës së drejtësisë, paraqiti ekspozenë e tij para anëtarëve të Këshillit, duke elaboruar arsyetimin e kandidimit dhe prioritetet në ushtrimin e këtij funksioni. Pas procedurës së votimit të hapur, ai u zgjodh Zëvendëskryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës me votat e të gjithë anëtarëve të KPK-së. Mandati i z. Vuniqi në këtë funksion fillon nga dita e zgjedhjes dhe përfundon me përfundimin e mandatit të tij si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në përmbyllje të pjesës publike të mbledhjes, Kryesuesi Gashi njoftoi mbylljen e saj për publikun, ndërsa Këshilli vijoi punën me shqyrtimin e një ankese të paraqitur pranë KPK-së më 4 mars 2026, në përputhje me kompetencat dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

