Një aksion i veçantë vullnetar është zhvilluar në Spitalin e Gjilanit, ku u pastruan hapësirat e repartit të Pulmologjisë nga qytetarë të angazhuar në komunitet.
Në mesin e tyre ishte fotografi i njohur Arian Mavriqi, i cili së bashku me aktorin Kushtrim Qerimi, Sibelin, si dhe dy djemtë e tij Kejsin dhe Amalin, kontribuoi në pastrimin e ambientit spitalor.
Mavriqi theksoi se përveç aspektit të mirëmbajtjes, ky aksion kishte edhe një dimension tjetër të rëndësishëm: vetëdijësimin e prindërve për të angazhuar fëmijët në aktivitete të tilla.
“Këtë fotografi po e ripostoj me qëllim të vetëdijësimit të prindërve, që në aksione të tilla të përfshijnë edhe fëmijët. Në këtë rast, mora edhe dy djemtë e mi, Kejsin dhe Amalin, që përmes shembullit të mësojnë vlerat e përgjegjësisë dhe solidaritetit”, ka deklaruar ai.
Ky gjest është cilësuar si një shembull frymëzues se si arti, familja dhe komuniteti mund të bashkohen në funksion të së mirës së përbashkët. Përmes këtij angazhimi, përcillet mesazhi i qartë se kujdesi për hapësirat publike është detyrë e të gjithëve, ndërsa edukimi për këtë fillon në familje./Radio Star/