Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit ka dëshmuar se nuk është në rrjedhë me zhvillimet e fundit në infrastrukturë dhe, për më keq, po ndikohet lehtë nga direktivat e individëve që për dekada kanë manipuluar opinionin publik për qëllime politike. Ai përpiqet të ngrejë tema duke u mbështetur në gjysmë të vërteta, duke pretenduar se po i qan hallin Gjilanit, një qytet që thotë se e do, por që dukshëm nuk e njeh. Ai nuk është aspak i informuar për zhvillimet që nga viti 2021 e deri para pak javësh. Sot, ai vetëm përsërit atë që i është thënë nga të tjerët.
Është me rëndësi t’i rikujtojmë publikut dhe atij vetë se qeverisja e kaluar, që ai e përfaqëson dhe mbron, e ka lënë komunën me mbi 12 milionë euro borxhe ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Projekte të mëdha janë nisur pa përfunduar asnjërin prej tyre dhe, për më keq, disa janë filluar pa pasur as fondet e sigurta. Projektet që ai sot i përmend, përfshirë atë konkret për të cilin reagon, datojnë nga viti 2020 dhe kanë qenë të destinuara të dështojnë që në fillim, për shkak të mangësive serioze në përgatitje dhe menaxhim.
Kontratat janë nënshkruar nga qeverisjet e kaluara pa shpronësime të parapara, pa projekte për infrastrukturë elektrike, pa zgjidhje për ujërat e zeza dhe pa planifikim për rrjetin e ujësjellësit. Këto janë fakte të cilat nuk mund t’i mbulojnë fjalët e zbrazëta apo fushatat që nisin me nostalgji të gabuara. Si pasojë, kemi të bëjmë me kontrata të dobëta dhe të menaxhuara keq, që sot janë shembuj të dështimit institucional. Raste të tilla përfshijnë edhe dy nga hyrje-daljet më të rëndësishme të qytetit – Gjilan–Kllokot dhe Gjilan–Prishtinë – të kontraktuara me të njëjtin operator, të cilat kanë përfunduar në gjendje të ngjashme dështimi.
Edhe pse një prej këtyre kontratave është financuar nga BERZH dhe ka qenë nën menaxhimin e ekipeve ndërkombëtare dhe konsulentëve vendorë, as kjo nuk ka mjaftuar për ta shpëtuar projektin nga problemet strukturore. Përkundër përkrahjes së konsiderueshme nga institucionet qendrore dhe angazhimit tim personal që nga fillimi, mungesa e kapaciteteve teknike dhe financiare të kontraktorit, si dhe braktisja e punishtes nën arsyetimin se “projekti ka defekte”, e kanë bërë të pashmangshëm dështimin dhe përfundimisht, shkëputjen e kontratës. Ky ishte një vendim i drejtë, ndonëse i vonuar, përballë një kontraktori që realisht nuk kishte kapacitetet e nevojshme për të përmbushur detyrimet.
Ndërkohë, qeveria aktuale nuk ka qëndruar duarkryq. Projekti për zgjerimin e rrugës është përgatitur tashmë dhe përfshin edhe 4 kilometra të tjera, deri në kyçjen me autostradën. Për këtë fazë të re, gjithçka është planifikuar në mënyrë të plotë dhe profesionale: nga shpronësimet, infrastruktura elektrike, kanalizimi, rrjeti i ujësjellësit e deri te menaxhimi financiar dhe teknik. Kjo është diferenca e qasjes: nga improvizimi dhe papërgjegjësia e së kaluarës, në një menaxhim serioz dhe të përkushtuar për të mirën publike.
Në vend të përpjekjeve për të manipuluar opinionin me të dhëna të pjesshme dhe qëndrime të ricikluara nga e kaluara, kandidati i LDK-së do të duhej të merrte kohë për t’u informuar saktë, për të kuptuar sfidat reale dhe për të kontribuar në zgjidhje, e jo në krijimin e konfuzionit politik përmes retorikës së njohur të fajësimit dhe mjegullimit të së vërtetës. Gjilani ka nevojë për ndershmëri, jo për rikthim te skemat e dështuara.