Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Aianit Sadiku ka pritur sot një grup të qytetarëve romë, për të diskutuar rreth disa mosmarrëveshjeve sa i përket përfaqësimit të tyre në Komitetin për Komunitete.
Në takim kanë marrë pjesë edhe zyrtarë nga OSBE-ja, ku është iniciuar një ankesë nga përfaqësuesi i mëparshëm në këtë trupë komunale, Fadil Demiroviq, i cili pretendon se pasardhësi i tij, Vebi Ramadani nuk e ka mbështetjen e shumicës së komunitetit.
Por Ramadani, i cili tashmë është zgjedhur anëtar i Komitetit për komunitete, ka thënë se Demiroviq po manipulon me një listë nënshkrimesh, që sipas tij, i ka mbledhur për pako ushqimore.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, pasi i ka dëgjuar të dyja palët, ka thënë se ne si institucione komunale, kur janë në pyetje interesat e komunitetit, nuk do të bashkëpunojmë vetëm me një person, por me komunitetin në përgjithësi.
‘Kur është puna për të zgjidhur problemet e komunitetit rom dhe për t`i caktuar prioritetet, ne do të dëgjojmë zërin e secilit prej jush në lagjet ku jetoni’, ka thënë kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku.
Duke i ftuar romët që të jenë së bashku në interesat e komunitetit, Sadiku i ka rikujtuar ata se rotacioni në përfaqësim është diçka normale.
Përndryshe, komuniteti rom në Gjilan përfaqësohet në Komitetin për Komunitet, në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi si dhe në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim.