Ideja për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është folur qysh moti.
Por tani shumë më publikisht dhe kjo ide ka ardhur nga vet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Këtë ide presidenti i Kosovës thotë se do ta propozoji edhe në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.
Në lidhje me këtë çështje, liderë të Luginës së Preshevës tash e disa muaj kanë pasur takime të shpeshta me presidentin.
Në një intervistë për Kosova Press, kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi ka treguar se e kujt ishte kjo iniciativë, ndonëse mohon që janë për shkëmbim territoresh.
Arifi thotë se ideja për bashkim është e qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë që e ka pranuar edhe presidenti Thaçi.
“Është pranuar kërkesa jonë që vetëm të tematizohet çështja e Luginës së Preshevës për arsye se ne mendojmë që është një momentum të cilën duhet ta shfrytëzojmë; se kushedi kur vjen ky momentum prapë. Kështu që në këtë drejtim, pasi që Thaçi ka qenë negociator në vazhdimësi me Vuçiqin në Bruksel, ne iu kemi drejtuar edhe një herë Thaçit edhe herë pas here duke insistuar më në fund më ka pranuar. Unë jam kundër kësaj tezës që thonë se e ka nisur Thaçi edhe po i shfrytëzon tash shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe politikës së saj, bile kam dëgjuar në një emision një herë që, po mundohet me i djeg shqiptarët e Luginës së Preshevës si kartë politike në Bruksel, unë kisha kërkuar më shumë një unitet politik në këtë drejtim”, tha Arifi.
Arifi ka shtuar se kërkesën e bashkimit nuk e bëjnë në faturë të askujt e as për interesa të tyre personale. Megjithatë ai ka treguar se cilat janë tri kushtet që Lugina t’i bashkohet Kosovës.
“Është e qartë që ne nuk kërkojmë shkëmbim territoresh, ne nuk themi merrni një pjesë në veri dhe jepjani Serbisë dhe merrna neve në Kosovë… Nga perspektiva e tij është korrigjim kufijsh, nga perspektiva jonë është me u bashkëngjit. Sa duash korrigjohu për neve është me u bashkëngjit. Nga perspektiva e tij në drejtim të Serbisë dhe Vuçiqit është korrigjim dhe duhet me u kon fer. Për neve çfarë është me rëndësi është që të mos shkëmbejmë territore, që të mos parcializohet Lugina e Preshevës, mos të ndahet në gjysmë, mos të ndahet në drejtim të autostradës apo të udhës hekurudhore, do të thotë, qikjo është për neve me rëndësi, qito jon kushtet tona dhe të kemi mbështetje ndërkombëtare, qito tre kushte nëse plotësohen, pastaj për neve vjen në pyetje që të bashkëngjitim. Ne nuk dojmë me u bashkëngjit e pastaj me dëmtu Kosovën, apo të krijojmë efekte anësore, politike në drejtim të stabilitetit rajonal edhe këtë nuk e daum”, tha Arifi.
Pavarësisht se BE Arifi është shprehur kundër një iniciative të tilla, ku sipas tij disa vende janë duke e përkrahur, por që ende janë duke u zhvilluar debate.
I pyetur se a ka gjasa që kërkesën e tyre, presidenti t’a keqpërdor, ai deklaroi se nuk ka shansa që askush të luajë lojë me Luginën.
“Nuk ka shanc me lujt me neve loja, shumë ma lojtarë jemi edhe këtë së pari ia kom thon edhe Serbisë, iu kam thënë edhe miqve të mi ndërkombëtarë, ia kam thënë edhe Edi Ramës, ia kam thënë edhe Hashim Thaçit edhe këtë ia them të gjithëve të cilët mundohen në interesin e tyre, në faturën tonë të shqiptarëve të luginës së Preshevës, me i realizu pastaj interesat e tyre”, tha Arifi.
Më 29 shtator të muajit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje organizoi protestë për të kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh.
Kundërshtimet për këtë çështje , e po ashtu edhe protestën e organizuar, Arifi i quajti më shumë politike, duke shtuar se spektri politik në Kosovë duhet të jetë më i unifikuar.
Nëse ky proces do të ndodh, sipas tij do të marrë shumë kohë, mirëpo më e rëndësishmja, siç tha ai, është se si do të bashkohet lugina e Preshevës me Kosovën.
Duke mos përjashtuar se e ka “hall”, nëse do të ndodh shkëmbimi i territoreve, ani pse ai ka theksuar, që i beson iniciativës së presidentit Hashim Thaçi.