Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi ka përfunduar dje.
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të regjistruar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë është rreth 100 mijë.
Sipas, Arifit Bujanoci numëron 54.498 banorë dhe 13.000 amvisëri, Presheva ka 59.024 banorë dhe 11.654 amvisëri, dhe Medvegja 8.459 banorë dhe 5899 amvisëri, raporton teve1.info
Arifi theksoi se këto shifra tregojnë se komuna e Bujanocit është komunë në rritje.
“Ditën e djeshme, më 31 tetor 2022, ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullësisë dhe amvisërive në Republikën e Serbisë. Shqiptarët për herë të parë pas regjistrimit të vitit 2001 iu përgjigjen thirrjes për regjistrim. Nga rezultatet preliminare që kemi siguruar mëngjesin e sotëm, Bujanoci numëron 54.498 banorë dhe 13.000 amvisëri, Presheva ka 59.024 banorë dhe 11.654 amvisëri, dhe Medvegja 8.459 banorë dhe 5899 amvisëri”, ka shkruar Arifi.
Kryetari i Bujanocit më tej tha se vendimi për të dalë në regjistrim nuk ishte i lehtë pas bojkotit të vitit 2011.
“Vendimi për të dalë në këtë regjistrim nuk ishte i lehtë, pas bojkotit të vitit 2011, por në fund doli të jetë i drejtë. I drejtë, sepse demantuam shifrat e regjistrimit 2011, ku shqiptarët llogariteshin rreth 5.800 shqiptarë në gjithë Serbinë. Tanimë duket qartë se numri i shqiptarëve është rreth 100.000”, ka shkruar Arifi.