Lidhja Rajonale e Futbollit e Gjilanit organizoi të shtunën Kuvendin e saj të Rregullt Zgjedhor, në të cilin morën pjesë 18 nga 19 delegatë sa numëron ky organ.
Gjatë punimeve të kuvendit u shqyrtuan disa çështje të rëndësishme, ndër to harmonizimi i statutit të LRF Gjilani me statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte edhe përzgjedhja e kandidatit për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga ky regjion.
Zgjedhjet u zhvilluan në përputhje me vendimin e Bordit të LRF Gjilani, të marrë më 15 dhjetor 2025, duke respektuar në tërësi kriteret dhe dispozitat statutare të FFK-së.
Me këtë rast, delegatët e Kuvendit propozuan z. Armend Misini si përfaqësues të regjionit të Gjilanit në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, propozim që u miratua me vota unanime.
Pasi mori besimin e delegatëve për të përfaqësuar për herë të parë regjionin e Gjilanit në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, Misini shprehu mirënjohjen e tij për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke u zotuar se së bashku do të punojnë për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në këtë regjion.
“Delegatë dhe struktura të futbollit të Gjilanit ju falënderoj për besimin e dhënë. Kjo detyrë e re për mua është një përgjegjësi shumë serioze. Zotohem se do të angazhohem në forcimin e klubeve, shkollave të futbollit dhe në krijimin e kushteve më të mira në regjionin tonë. Vetëm me bashkëpunim dhe me vizion të përbashkët do të arrijmë suksesin e përbashkët”, tha ai para delegatëve.










