Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar për arrestimin e ndihmësdrejtorit në të ashtuquajturën ‘’zyrë për Kosovën’’ në Serbi, Igor Popoviq, duke thënë se ky i fundit gjatë fjalimit të tij në Rahovec, ka nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vend. Sveçla ka bërë të ditur edhe se Popoviq e ka cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste.
Ministri në detyrë ka njoftuar se Popoviq është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak, dhe se i njëjti më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut.
‘‘Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, ka mbajtur sot një fjalim në Rahovec. Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore. Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë’’, ka shkruar ai.
Tutje, Sveçla ka shkruar edhe se Kosova është shtet demokratik dhe sovran, i cili nuk ka cenuar ndonjë shtet tjetër, e as provokuar popullatë të një tjetër shteti.
I njëjti ka thënë se s’do të tolerohet fyerja dhe përdhosja e historisë, e aq më pak e luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.
‘‘Dua të theksoj se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare’’, ka shtuar ai.
Në fund, ai ka thënë se deklarimet e modelit millosheviqian janë të dënueshme dhe trillime.
‘‘Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare’’, ka përfunduar ai.