Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës në ministrinë që ai drejton, aksion që rezultoi me arrestimin e tre zyrtarëve të MPB’së dhe një punëtori të një kompanie ndërtimi.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka thënë se kushdo që ka vepruar në çfarëdo forme në kundërshtim me ligjin, do të ballafaqohet me drejtësinë, derisa ka shtuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit. Me këtë rast, janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë si dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, katër prej të cilëve sipas njoftimit zyrtar të Policisë janë ndaluar për 48 orë. Tashmë e kemi dëshmuar por ritheksoj se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Kushdo që ka vepruar në çfarëdo forme në kundërshtim me ligjin, do të ballafaqohet me drejtësinë”, ka shkruar Sveçla.
Sipas njoftimit të policisë, për të dyshuarit me iniciale (A.S., B.B. dhe N.SH.) ekziston dyshimi i bazuar se në cilësi të personave zyrtar duke vepruar në bashkëpunim gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve.
Sipas policisë, të dyshuarit (N.S.) dhe (G.H.) në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga MPB.
Të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së.
Policia ka njoftuar se gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar dëshmi dhe pajisje në cilësi të provës materiale.
“Pas intervistimit të dyshuarit A.S., B.B., N.S., G.H. me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH- Prishtinë ndalohen për 48 orë, ndërsa e dyshuara N.SH. lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.