Policia e Kosovës të enjten sipas Planit Operativ “PATENTA” ka realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtinë me ç’rast në rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës janë kontrolluar 10 lokacione të ndryshme si; shtëpi private, zyrat rajonale të MMPHI-së -koordinatorë/ekzaminerë dhe biznese me veprimtari të auto shkollës dhe janë arrestuar 11 persona.
Sipas Policisë, hetimet për ketë rast kanë filluar muaj më parë me ç’rast janë aplikuar masat e veçanta të hetimit përmes të cilave janë arritur të sigurohen dëshmi të mjaftueshme për veprat penale ’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke u dëshmuar se të dyshuarit në forma të ndryshme në vazhdimësi kanë ndihmuar kandidatë të shumtë për tu pajisur me patentë shofer të kategorive të ndryshme, me qëllim të përfitimit material për vete apo për persona të tjerë, gjithnjë në kundërshtim me ligjin.
Gjate kontrollit bëhet e ditur se në cilësinë e provave janë sekuestruar një AK47, dy revole, 224 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, para të gatshme (16.145 euro dhe 6660 franga zvicerane), 17 telefona mobilë, 3 kompjuterë, 2 USB si dhe dokumentacion relevant për procedurë të mëtejme hetimore.
Lidhur me rastin personat e dyshuar janë shoqëruar për intervistim dhe me vendim të prokurorit dhjetë prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 ore, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.