Dy persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘mashtrim’ dhe ‘falsifikim i dokumenteve’ janë arrestuar të hënën në Gjilan.
Sipas Policisë, të dyshuarit përmes paraqitjes së rreme dhe mashtruese, kanë arritur t’i vënë qytetarët në lajthim dhe t’i nxisin ata të nënshkruajnë kontrata si dhe të bëjnë pagesa për avans pa marrë më pas produktet e premtuara.
Gjatë hetimeve thuhet se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka identifikuar 13 persona të dëmtuar në komunat e Gjilanit dhe Vitisë.
“Këta qytetarë janë futur në obligime kontraktuale në vlerë totale prej 24,607.00 €, ndërsa 9 prej tyre kanë paguar edhe avans në shumën prej 3,494.00 €, me premtimin se produkti dhe dhuratat do t’iu dorëzoheshin pas nënshkrimit të kontratave, gjë që nuk ka ndodhur”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se të dyshuarit me datën 20 maj janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare, ndërsa të hënën (26 maj) me aktvendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.