Një grua është arrestuar dje lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepit.
Lajmin është konfirmuar nga prokurori i rastit Armend Hamiti.
“Po, dje është arrestu. Kjo Bedriun, se ka njoht. Hala s’kemi mujt me vërtetu a e ka njoht”, tha ai për Express.
Çka dihet deri më tani për zhdukjen e Bedri Rexhepit
Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.
Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.
Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.
“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.
Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.
“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, ka deklaruar ai.