Policia e Kosovës sot ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Milun Milenkovic- Llune.
Kështu njofton minstri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili thekson se ai është udhëheqës i formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”, raporton Indeksonline.
Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast dy nga ta janë të lënduar lehtë.
Shkrimi i plotë:
Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.
Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast dy nga ta janë të lënduar lehtë.
Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.
Republika nuk do të zmbrapset.