Një incident është raportuar në një qendër votimi në Gjilan, ku një votues dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit brenda kabinës.
Lajmin e ka konfirmuar për Radio Star zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili bëri të ditur se rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 9 shkurt 2025, rreth orës 07:35, kur vëzhguesit e qendrës së votimit kanë vërejtur një votues që dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit. Menjëherë pas raportimit, zyrtarët policorë kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar të dyshuarin brenda qendrës së votimit. Ai është shoqëruar në Njësinë e Hetimeve të Policisë (NJHP) dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas përfundimit të intervistës, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të trajtohet sipas nenit 215 të Kodit Penal të Kosovës për “Cenimin e fshehtësisë së votimit”, duke e proceduar në mënyrë të rregullt ligjore.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.